Rusia akuzon Britaninë për shpërthimin e gazsjellësit Nord Stream, Londra i konsideron pretendime të rreme

Rusia po akuzon marinën britanike për “sulm terrorist” mbi gazsjellësin Nord Stream, raporton Reuters.

Ministria ruse e Mbrojtjes, ka njoftuar se marina britanike ka hedhur në erë gazsjellësin Nord Stream gjatë muajit të kaluar, duke e akuzuar një prej vendeve anëtare të NATO-s për sabotim të infrastrukturës ruse.

Pavarësisht se nuk ka ofruar as edhe një dëshmi më të voglën, ministria ruse e Mbrojtjes këmbëngulë se këtë e kanë bërë britanikët.

“Sipas informatave që i disponon, marina britanike ka marrë pjesë në planifikimin, sigurimin dhe kryerjen e sulmit terrorist në Detin Baltik gjatë 26 shtatorit – duke hedhur në erë gazsjellësin Nord Stream 1 dhe 2”, thuhet në kumtesën e ministrisë ruse.

Në anën tjetër ministria britanike e Mbrojtjes, ka mohuar kategorikisht akuzat e Rusisë, se mund të ketë ndonjë lidhje për këtë shpërthim.

Madje sipas Londrës, pretendimet e Rusisë janë të rreme, dhe kanë për qëllim shpërqendrimin e opinionit nga pushtimi ilegal rus në Ukrainë.

Gjithashtu si argument është përdorur se qeveria ruse me këto pretendime po tenton të fshehtë pakënaqësitë që janë brenda qeverisë së Vladimir Putinit, ku shumë zyrtarë rusë janë të pakënaqur me luftën në Ukrainë.

Go to TOP