Rudiger prezantohet te Real Madridi

Antonio Rudiger është prezantuar zyrtarisht si lojtar i Real Madridit, pas largimit nga Chelsea.

Qendërmbrojtësi ka rënë dakord për një marrëveshje katërvjeçare, në “Santiago Bernabeu”, pasi u largua nga Blutë në fund të kontratës së tij.

Los Blancos konfirmoi kalimin më shumë se dy javë më parë, por Rudiger ka qenë i zënë me Gjermaninë, kështu që vetëm tani ka mundur të mbërrijë në Madrid për t’u paraqitur para medieve në kompleksin stërvitor të klubit.

Më herët, gjatë ditës, 29-vjeçari përfundoi testet mjekësore në Spitalin Universitar Sanitas La Moraleja, transmeton Klankosova.tv.

Rudiger do të mbajë numrin 22 në Real Madrid, i cili është i lirë pas largimit të Iscos këtë verë.

“Është një ditë shumë e veçantë për të gjithë ne, por veçanërisht për mua”, u tha mbrojtësi gazetarëve në prezantimin e tij.

“Do të doja të falënderoja prindërit e mi, sepse pa ta nuk do të mund të isha këtu. Ata më kanë mbështetur gjithmonë dhe kjo gjatë gjithë jetës sime ka qenë shumë e rëndësishme”, shtoi ai.

Go to TOP