Rritja e rasteve me coronavirus, IKSHPK thirrje qytetarëve që të vaksinohen dhe t’i bartin maskat

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se Kosova po vazhdon të shënojë shtimin e rasteve të reja me COVID-19, me tendencë të rritjes ditët në vijim.

Sipas një njoftimi të tyre, thuhet se sot është raportuar një rast i vdekjes nga virusi COVID-19.

Tutje në njoftim thuhet se në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19.

“Ju lutemi bartni maskat në ambiente të mbyllura dhe  vaksinohuni. Kosova po vazhdon të shënojë shtim të rasteve të reja të COVID-19 me tendencë të rritjes ditët në vijim. Fatkeqësisht sot është raportuar  një rast i vdekjeve nga kjo sëmundje. Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar”, thuhet në njoftim.

IKSHPK po ashtu bën të ditur se janë duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen.

“Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që vaksinohen, me dozën e parë të dytë dhe të tretë mund të vaksinohen të gjithë personat e moshës mbi 12 vjeç; me dozën e katërt, mund të vaksinohen personat e moshës mbi 60 vjeç, me kusht që të kenë kaluar katër muaj nga marrja e dozës së tretë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, MSh dhe IKSHPK rekomandojnë qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksinohen kundër COVID-19.

Go to TOP