RrGK uron Qeverinë Kurti dhe kërkon përfaqësim të barabartë gjinor dhe reforma të drejta për gratë
Pas më shumë se një viti pasigurie politike dhe vonesash institucionale, Kosova ka formuar një qeveri të re duke hapur rrugën për reformat dhe proceset legjislative të shumëpritura.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) i ka dërguar sot një letër Kryeministrit Albin Kurti duke e uruar për formimin e Qeverisë së re, por njëkohësisht shprehu shqetësim për përqindjen e ulët të grave të emëruara si ministre. RrGK kujtoi se Ligji për Barazinë Gjinore kërkon përfaqësim të barabartë të grave dhe burrave në vendimmarrje (50%) duke e konsideruar këtë jo vetëm një detyrim ligjor, por edhe thelbësor për qeverisje demokratike.
Rrjeti bëri thirrje për integrimin sistematik të barazisë gjinore dhe të drejtave të grave në të gjitha fushat e politikave duke sugjeruar disa ndryshime urgjente ligjore dhe politike, përfshirë:
Miratimin e një Ligji të ri të Punës në përputhje me Direktivën e BE-së për Balancin punë-jetë;
Vendosjen e treguesve të qartë të barazisë gjinore brenda Axhendës së Reformës së Kosovës në kuadër të Programit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor;
Institucionalizimin e buxhetimit të përgjegjshëm ndaj gjinisë në ligjet e ardhshme të financave publike;
Investime më të mëdha në shërbimet e kujdesit për të mundësuar pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore dhe transformimin e punës së papaguar në punë të paguar;
Krijimin e një linje buxhetore të dedikuar brenda Agjencisë për Barazi Gjinore për të mbështetur organizatat e grave, veçanërisht në kontekstin e krizës aktuale të financimit.
RrGK shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë dhe të gjithë ministrat për mbrojtjen, promovimin dhe avancimin e të drejtave të grave në Kosovë. /Kosova.info/
