Rrëzohet raporti i zgjedhjes së anëtares së re të KPK-së, Elza Bajramit

Me pesë vota kundër, Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka rrëzuar raportin e Komisionit Zgjedhor për zgjedhjen e një anëtare prokurore në KPK.

Në mbledhjen e së hënës, pesë anëtarë – përfshirë kryesuesin Ardian Hajdaraj – votuan kundër raportit, sipas të cilit zëvendëprokurorja e Prishtinës, Elza Bajrami rekomandohet për certifikim si anëtare e re e KPK-së.

Katër anëtarët e tjerë të Këshillit, të cilët përfaqësojnë taborin e kundërshtuesve të vendimit për shkarkimin e u.d. Kryeprokurorit Besim Kelmendi, e lëshuan mbledhjen para se të zhvillohej votimi. Ata e kundërshtuan pjesëmarrjen në mbledhje të u.d. Kryeprokurorit të ri, Agron Qalaj.

Pesë anëtarët që votuan kundër raportit, konstatuan se procesi i përzgjedhjes së anëtares së re të KPK-së është i jashtëligjshëm.

“Konstatojmë se Këshilli e refuzon raportin e procesit zgjedhor të datës 1 nëntor, 2025 që është zhvilluar në konferencën vjetore të Prokurorit të Shtetit”, tha kryesuesi Ardian Hajdaraj.

“Me hapat e mëtutjeshëm do të njoftoheni me kohë meqenëse çështja është dërguar në Gjykatë dhe do të vendosim në takimin tjetër të Këshillit”, tha Hajdaraj.

Zgjedhja e anëtares së re të KPK-së ka shkaktuar një zinxhir përplasjesh brenda KPK-së, me një tabor që është deklaruar pro procesit, ndërsa një tjetër kundër tij.

Go to TOP