Ronaldo: Franca favorite, ky është Evropiani im i fundit

Fillimisht lotët për penalltinë e humbur në fund të pjesës së parë të shtesë, më pas gëzimi i fitores.

Cristiano Ronaldo ishte protagonisti negativ dhe pozitiv i ndeshjes mes Portugalisë dhe Sllovenisë, ndeshje e fituar nga skuadra e Martinezit falë një serie perfekte goditjesh nga pika të portieri Diego Costa, i cili priti tri penallti të sllovenëve.

Portugalia në çerekfinale do të ndeshet me Francën. Ronaldo e pranon se ‘Gjelat’ janë favorit, por sipas tij, dueli me francezët do të jetë një ‘luftë’ e fortë.

“Franca është favorite bashkë me Gjermaninë dhe Spanjën. Na pret një ndeshje e vështirë. Do të jetë një ‘luftë’ e fortë”, ka thënë Ronaldo.

Veterani i Portugalisë thotë se ky Evropian është i fundit për të.

“T’i bëj njerëzit të lumtur është ajo që më motivon më shumë. Fakti që ky është kampionati im i fundit evropian nuk më prek aq shumë sa ndjenja e gëzimit që ndjej kur shoh fansat e mi, familjen time dhe dashuria që ata kanë për mua”, ka pohuar CR7.

Go to TOP