Roma e fiton derbin e kryeqytetit italian
Në një ndeshje e fortë, me shumë dyluftime, raste dhe tension deri në minutat e fundit, derbi i kryeqytetit italian Lazio – Roma është mbyllur me fitoren e ngushtë të verdhekuqve.
Falë një goli të shënuar nga Lorenzo Pellegrini ndeshja në “Olimpico” është mbyllur me rezultat 0-1.
Takimi ka nisur i ekuilibruar, me të dyja skuadrat që janë përpjekur ta merrnin kontrollin.
Lazio ka qenë më e rrezikshme në fillim, duke testuar portierin Svilar, por në minutën e tridhjetë e tetë ka ardhur momenti vendimtar. Nuno Tavares ka gabuar në mbrojtje, Devyne Rensch i ka rrëmbyer topin dhe pas asistimit të Soule, kapiteni Pellegrini ka shënuar me një goditje precize në cepin e portës.
Në pjesën e dytë, Roma e Gasperini është përpjekur ta mbyllë ndeshjen me një gol të dytë, ndërsa Lazio e Sarri ka kërkuar me ngulm barazimin.
Dia ka pasur një mundësi të artë, por nuk ia ka arritur ta mposhtë Svilarn, ndërsa Castellanos dhe Cataldi i janë afruar golit, ky i fundit madje duke goditur shtyllën në fund të takimit.
Minutat e fundit kanë sjellë tension edhe më të madh: Belahyane është ndëshkuar me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër, ndërsa pas fishkëllimës përfundimtare edhe Guendouzi është larguar me karton të kuq për protesta.
Me këtë fitore të madhe, Roma arrin në kuotën e nëntë pikëve, duke u barazuar me Milan dhe Napoli pas katër javësh në Serie A, ndërsa Lazio gjendet vetëm në vendin e katërmbëdhjetë me tri pikë.
