Rohde e Guerot me thirrje: Vendet e rajonit të shmangin tensionet

Dy ambasadorët e dy prej shteteve më të fuqishme evropiane, Francës dhe Gjermanisë, sonte nga studio e RTK Prime folën për zhvillimet në Lindjen e Mesme pas nisjes së sulmeve mes Izraelit dhe Iranit.

Francezi, Olivier Guerot, dhe gjermani, Jorn Rohde, të dy diplomatë të akredituar në Kosovë, thanë se ajo që duhet tani është armëpushimi atje.

“Ka shumë vuajtje, shpresojmë në deeskalim. Siç kemi arritur të shohim deklaratën e G7-ës, ishte një pasqyrim real i situatës. Irani ka nxitur shumë konflikte rajonale në të kaluarën, por shpresoj që ky konflikt të përfundojë sa më parë që është e mundur,” tha ai.

Ndërkohë Guerot tha se situata është goxha serioze. “Ajo që na duhet është një armëpushim me ndalimin e shënjestrimit të infrastrukturës civile e pastaj edhe të saj energjetike, e sidomos shënjestrimin pa dallim të civilëve,” tha Guerot.

Diplomati francez shtoi se çfarëdo lloj kapaciteti nuklear nga Irani do të ishte kërcënim i drejtpërdrejtë për Izraelin, rajonin dhe Evropën. “Pra thjesht nuk e duam një gjë të tillë, zgjidhja duhet të gjendet në një kornizë të negociuar,” shtoi ai.

Të dy diplomatët folën edhe për gatishmërinë që shfaqi Rusia për të ndërmjetësuar mes Izraelit dhe Iranit, ndërkohë që vetë po kryen agresion në Ukrainë.

Guerot në RTK Prime tha se Rusia do të përpiqet të shfrytëzojë secilën situatë për qëllimet e veta, duke përfshirë edhe situatën rajonale në Ballkan.

“Ajo që na duhet absolutisht shumë nga të gjitha vendet këtu në rajon është që të shmangin përshkallëzimin e tensioneve, krijimin e tensioneve ku nuk ekzistojnë. Kosova ka theksuar që dëshiron të jetë kontribuuese e sigurisë, e një mënyrë e kontributit në këtë drejtim është që të shfaqë përmbajtje në veprime të tilla që mund të perceptohen si nxitëse të tensionit,” tha tutje diplomati francez.

Rohde, ndërkaq, shtoi se Rusia është çdo gjë tjetër përpos e sinqertë. “Lufta me dezinformata duke përkrahur forca të cilat hedhin poshtë apo nuk e duan demokracinë, kërkojnë konfliktin midis Serbisë dhe Kosovës, e dini në cilën anë janë. Janë forcë shpërqëndruese,” tha ai.

Go to TOP