Rivarrosen mbetjet mortore të tre mitrovicasve të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë

Nën patronatin e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, dhe në bashkëpunim me OJQ “ Zëri i Prindërve”, sot në varrezat e dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës janë varrosur mbetjet mortore të Dibran Dibranit, Zeqir Mujës dhe Remzi Kurteshit, të cilët janë vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në ceremoninë e varrimit të të ndjerëve ishin të pranishëm edhe nënkryetari, Faruk Mujka, drejtorët e drejtorive komunale, përfaqësues nga OJQ “Zëri i Prindërve” në krye me Bajram Çerkinaj, familjarë të të ndjerëve, familjarë tjerë të personave të pagjetur, përfaqësues nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në krye me Kushtrim Gara, kryetarja e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nystrete Kumnova, si dhe qytetarë tjerë.

Me këtë rast, kryetari Bahtiri, pasi ngushëlloi familjarët, tha se është një moment i rëndë për ta, por që duhet të përballohet, pasi që së paku tani e dinë se ku i kanë eshtrat dhe ku mund të bëjnë nderimin për të dhe të kujtojnë atë.

“Në komunën tonë janë ende 109 familje që presin zbardhjen e fatit të familjarëve, por edhe të secilit person që ndodhet në listën e të pagjeturve. Ku ne si komunë, në bashkëpunim me OJQ “Zëri i Prindërve” kemi qenë dhe jemi vazhdimisht të angazhuar dhe punojmë në gjetjen e të dhënave që do të mund të na shpinin në zbardhjen e fatit të 109 personave të pagjetur në komunën tonë”, ka thënë kryetari Bahtiri.

Po ashtu kryetari Bahtiri ka theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës nuk duhet të ndalen asnjëherë së kërkuari nga Serbia që të tregojnë se ku janë edhe të zhdukurit tjerë, në mënyrë që të gjithë të kthehen në vendlindjet e tyre dhe të varrosen aty ku e kanë vendin, pranë më të dashurve të tyre.

“Komuna e Mitrovicës dhe ne si drejtues të saj, kemi shumë respekt ndaj martirëve të Kombit, pasi ata dhanë gjënë më të çmuar jetën e tyre për të pas një Kosovë të Pavarur e të Lirë. Dhe për të çuar në vend amanetin e tyre, ne duhet të punojmë shumë dhe pa u ndalur”, ka shtuar kryetari Bahtiri.

Ndërkaq, kryetari i OJQ “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkinaj, ka kërkuar nga familjarët e këtyre tre martirëve që dhimbjen e tyre ta kthejnë në krenari.

Vlen të përmendet se eshtrat e këtyre viktimave janë gjetur dhe zhvarrosur në fund të vitit të kaluar, në një lokacion në varrezat e besimtarëve mysliman në veri të Mitrovicës, ku kanë qenë të groposur nga forcat serbe në përpjekjen e tyre të fshehjes së gjurmëve të krimit.

Ndryshe, pas kësaj ceremonie janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora me lule në varrezat e dëshmorët në Shipol.

Go to TOP