Rikthimi emocionues në stadium, historia e veçantë e tifozes 92-vjeçare

Dashuria për futbollin nuk ndalet kurrë.

Një tifoze 92-vjeçare e klubit anglez të Nottingham Forest, që ka humbur pjesën më të madhe të shikimit, për shkak të një sëmundjeje, u rikthye në stadiumin “City Ground” për të mbështetur skuadrën e saj të zemrës.

Vera Hill shkonte rregullisht në stadium për të përkrahur Nottingham Forest, deri në vitin 2012, kur u diagnostikua me një sëmundje që i prekte shikimin.

92-vjeçarja i kërkoi vajzës së saj, Debbie Caldwell, që ta çonte sërish në stadium, pasi donte të dëgjonte fansat të këndonin himnin e klubit, “Mull of Kintyre”, para fillimit të takimit.

Vajza foli me drejtuesit e klubit dhe dëshira e 92-vjeçares u plotësua, pasi ajo ishte e pranishme në stadium në ndeshjen kundër West Ham.

Videoja, e cila u shpërnda nga Nottingham Forest, është parë nga miliona njerëz në rrjetet sociale.

“Ajo është thjesht e mahnitur, absolutisht e mahnitur”, tha vajza e tifozes 92-vjeçare.

Go to TOP