Riho Terras nga Estonia pritet të jetë raportues për Kosovën në PE
Eurodeputeti estonez nga Partia Popullore Evropian (PPE), Riho Terras, pritet të emërohet raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian.
Për emërimin e tij në këtë post duhet të pajohet grupi i PPE-së në Komisionin për politikë të jashtme. Por, burime të Radios Evropa e Lirë në PE thanë se Terras pritet të emërohet nga ky grup.
Më herët, grupet politike në PE ishin pajtuar që të ndajnë mes vete postet e raportuesve për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Tani i takon secilit grup që nga radhët e veta të emërojë një raportues për shtetin përkatës.
Grupit të PPE-së kësaj radhe i takon posti i raportuesit për Kosovën. Tradicionalisht, në 20 vjetët e fundit raportuesi për Kosovën gjithmonë nga qenë nga radhët e Grupit të të Gjelbërve. Ky grup shënoi rënie të mbështetjes në zgjedhjet e fundit për PE të mbajtura më herët gjatë këtij viti dhe kësaj radhe ky grup do të ketë postin e raportuesit për Maqedoninë e Veriut.
Riho Terras është ish-ushtarak nga Estonia, i cili ka qenë deputet edhe në përbërjen paraprake të Parlamentit Evropian.
Raportues për Serbinë në PE do të jetë deputeti socialdemokrat nga Kroacia, Tonino Picula. Ai, veçse e ka bërë publike emërimin e tij në këtë post.
Ndërkaq, për Shqipërinë, raportues pritet të jetë Andreas Schieder nga socialdemokratët. Për Maqedoninë e Veriut pritet të jetë deputeti i të Gjelbërve, Thomas Waitz, nga Austria si dhe deputeti liberal nga Sllovenia, Marjan Sharec, pritet të jetë raportues për Malin e Zi.
Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, vetëm për Bosnjë e Hercegovinën nuk dihet se kush do të jetë raportues në PE.
Raportuesit e rinj për pesë vjetët e ardhshëm do të ndjekin nga afër zhvillimet në vendet përkatëse dhe do të përpilojnë raportet vjetore. Përmes këtyre raporteve do të vlerësohet përparimi i këtyre shteteve në procesin e reformave dhe përmbushjes së kritereve për integrim në BE.