Rexhaj: Zgjedhjet duhet të shpallen të pavlefshme – vota u manipulua nga fillimi deri në fund
Kandidati i AAK-së për deputet, Sali Rexhaj, ka reaguar ashpër lidhur me procesin zgjedhor duke deklaruar se zgjedhjet e fundit janë shoqëruar me manipulime serioze dhe duhet të shpallen të pavlefshme.
Rexhaj ka bërë të ditur se përfshirja e tij në zgjedhje ka ndodhur papritur dhe pa ndonjë përgatitje paraprake duke theksuar se nuk kishte njohuri për mënyrën se si zhvillohet fushata dhe procesi zgjedhor. Sipas tij, që në fillim ishte këshilluar se për t’u zgjedhur deputet duhej të investonte rreth 80 mijë euro, gjë që e ka refuzuar kategorikisht.
Ai thekson se nuk ka pasur ambicie personale për t’u bërë deputet, por qëllimi i tij i vetëm ka qenë që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Ramush Haradinaj të kalonin pragun zgjedhor dhe të kishin grup parlamentar. “Këtë e kam thënë kudo, në fushatë, në takime dhe në intervista”, ka deklaruar Rexhaj.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai u angazhua në shtabin zgjedhor të AAK-së në Pejë, për të cilin tha se e ka pritur shumë mirë, njëjtë si edhe strukturat qendrore të partisë. Rexhaj ka shprehur respekt të veçantë për Ramush Haradinajn, Daut Haradinajn dhe Bekë Berishën duke thënë se kurrë më parë nuk është ndier më i respektuar në jetën e tij.
Në anën tjetër, Rexhaj pohon se gjatë fushatës ka qenë objekt i sulmeve të vazhdueshme nga shërbimet sekrete serbe përmes individëve të ndryshëm duke shtuar se ende nuk është e qartë nëse ai personalisht ishte cak apo AAK dhe Ramush Haradinaj.
Ai shpreh shqetësim të thellë për manipulimin e votës duke thënë se ligji zgjedhor ka lënë hapësirë për vjedhje të votave dhe se kjo, sipas tij, është “sekret publik” që ka ndodhur edhe në të kaluarën. “Është ndjenjë e keqe të kuptosh se vota e shenjtë është prekur”, ka theksuar Rexhaj.
Sipas tij, nuk ka asnjë logjikë që votat të numërohen e rinumërohen, kur është e qartë se procesi është komprometuar. Ai akuzon kryeministrin Albin Kurti për blerje votash përmes shpërndarjes së milionave nga buxheti shtetëror në prag të zgjedhjeve, si dhe për manipulim të datës së zgjedhjeve në bashkëpunim me presidenten Vjosa Osmani.
“Nga këto zgjedhje nuk mund të dalë një qeveri legale e legjitime. Hajnia dhe manipulimi i kanë përcjellë zgjedhjet nga fillimi deri në fund”, ka përfunduar Rexhaj duke kërkuar shpalljen e pavlefshmërisë së tyre dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja. /Kosova.info/
