Resuli kërkon reagimin e institucioneve: Monopolet po dëmtojnë blegtorët dhe cilësinë e qumështit

Të ardhurat e blegtorëve po dëmtohen ndërsa cilësia e qumështit po shkon drejt rënies në qarkun e Vlorës. Ky konstatim ka dalë pas një analize të sektorit të qumështit nga ana e, Ervin Resuli, President i Urdhri Mjekut Veterinar, i cili thekson se situata në sektorin e blegtorisë në Vlorë është një pasqyrë e sfidave që përballet sektori në tërësi, reduktimi i çmimeve nga grumbulluesit dhe fabrikat e qumështit, përbën një presion të madh mbi blegtorët.

“Në rastin e Vlorës, reduktimi i çmimeve me 40% nuk është thjesht një çështje e tregut, por një reflektim i një mungese të balancës në fuqinë negociuese midis prodhuesve të vegjël dhe jo te bashkuar dhe aktorëve të mëdhenj në treg. Kjo jo vetëm që dëmton të ardhurat e blegtorëve, por rrezikon edhe cilësinë e qumështit dhe vazhdimësinë e prodhimit”, tha Resuli.

Për të evituar gjendjen aktuale në ketë fushë jo vetëm në Vlorë por më gjerësisht në Shqipëri, ai thotë se institucionet, si Autoriteti i Konkurrencës dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, duhet të veprojnë me urgjencë. Disa hapa konkretë përfshijnë hetim të thelluar për praktikat e tregut dhe vendosjen e gjobave për sjellje monopolistike; Vendosjen e një çmimi minimal për qumështin për të mbrojtur blegtorët nga ndryshime të papritura dhe të padrejta në çmim; subvencione dhe mbështetje financiare për blegtorët e vegjël për të balancuar disavantazhin që kanë ndaj fabrikave të mëdha si dhe i Inkurajimin e bashkëpunimit midis blegtorëve për të rritur fuqinë e tyre negociuese.

“Ky është një moment kyç për të ardhmen e sektorit të blegtorisë në Shqipëri. Veprimi i shpejtë dhe i vendosur mund të krijojë një rrugë drejt një tregu më të drejtë dhe të qëndrueshëm për të gjithë sektorin”, tha Resuli. /Kosova.info/

Go to TOP