Rëndohet gjendja financiare në RTK, përmbaruesi tërheq mbi 150 mijë euro

Radiotelevizioni i Kosovës po përballet me vështirësi të theksuara financiare, të ndikuara edhe nga ekzekutimi i borxheve të vjetra përmes procedurave përmbarimore. Këto obligime të trashëguara po vazhdojnë ta rëndojnë buxhetin aktual të transmetuesit publik.

Sot, nga xhirollogaria e RTK-së janë tërhequr mbi 150 mijë euro në favor të Operatorit Ekonomik Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese BIRN, përmes një procesi përmbarimor dhe pa arritjen e një marrëveshjeje paraprake ndërmjet palëve.

Sipas drejtorit të Televizionit, Rilind Gërvalla, kjo shumë mund të lidhet me borxhe të krijuara të menaxhmenteve të kaluara, gjatë periudhës 2017-2019.

BIRN: Përmbarimi ndaj RTK-së erdhi pas refuzimit të marrëveshjeve

Nga ana tjetër, BIRN Kosova ka sqaruar se mjetet e tërhequra janë pjesë e obligimeve të papaguara për bashkëprodhimin e emisioneve hulumtuese “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”, të cilat datojnë deri në vitin 2019 dhe janë trajtuar në një proces të rregullt gjyqësor që nga viti 2021.

Sipas BIRN-it, shuma prej rreth 151 mijë eurosh përfaqëson borxhe për mbi 100 emisione, për të cilat RTK kishte detyrim të mbulonte një pjesë të shpenzimeve. Organizata thekson se për vite me radhë këto mjete kanë qenë të parapara në buxhetin e RTK-së, por nuk janë ekzekutuar nga menaxhmentet përkatëse.

Tutje, BIRN pretendon se RTK ka refuzuar vazhdimisht marrëveshjet për pagesë me këste, gjë që ka çuar në përshkallëzimin e çështjes përmes rrugëve ligjore deri te vendimi përfundimtar nga Gjykata e Apelit.

Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Menaxhmenti i RTK-së lidhur me këtë zhvillim. /Kosova.info/


Go to TOP