Rektori i UP-së: 56 vjet suksese, reforma dhe transformim drejt së ardhmes

Për 56-vjetorin e Universiteti i Prishtinës, rektori Arben Hajrullahu bëri një pasqyrë të gjendjes së universitetit, arritjeve të deritanishme dhe planeve për të ardhmen. Ai vlerësoi progresin e bërë nga UP-ja pas vështirësive të viteve ’90 dhe theksoi rëndësinë e modernizimit, ndërkombëtarizimit dhe transformimit digjital për të siguruar një universitet të hapur dhe konkurrues në kohët e sotme.

Në kuadër të 56-vjetorit të Universiteti i Prishtinës, rektori Arben Hajrullahu ishte i ftuar në emisionin “RTK Prime” në RTK, ku foli për gjendjen e universitetit, përparimet e arritura dhe planet për të ardhmen.

Ai theksoi se UP-ja sot është në një pozitë më të mirë sesa ka qenë pas gjithë vështirësive të viteve ’90.

“Jemi më të hapur, më modern dhe një nga universitetet më të rëndësishme të kohës. Zhvillimet teknologjike janë marramendëse dhe duhet të punojmë shumë për t’u bërë pjesë e tyre në kohë”, tha ai.

Rektori gjithashtu përmendi tri fusha kryesore ku universiteti po fokuson përpjekjet e veta.

“Po punojmë për të rritur mobilitetin e brendshëm të studentëve dhe stafit, po punojmë për të rritur ndërkombëtarizimin e UP-së dhe po punojmë për të arritur transformimin digjital me sukses”, theksoi ai.

Ai shtoi se progresi është i dukshëm dhe se thelbi i misionit mbetet i njëjti. “Të trajnojmë mendimin kritik të studentëve”, tha ai.

Hajrullahu tha se, përtej sfidave, UP-ja ka arritur suksese dhe ka çfarë të tregojë e të krenohet në këtë 56-vjetor.

Hajrullahu foli edhe për nevojën e reformave të brendshme dhe riorganizimit të universitetit. Ai tha se organogrami i UP-së duhet të përshtatet dhe të krijohen fakultete të reja:

“Fakulteti i Mjekësisë duhet të ndahet, duke krijuar Fakultetin e Stomatologjisë dhe të Farmacisë. Duhet të krijohet Fakulteti i Shkencave Kompjuterike, i cili mungon aktualisht, dhe Fakulteti i Arteve ndoshta do të ishte më mirë si Akademi e Arteve”, theksoi ai.

Rektori theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet:

“Disa sfida, sidomos në Fakultetin e Mjekësisë, duhet të zgjidhen në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Arsimit. UP-ja nuk kërkon vetëm buxhet për mbijetesë, por për zhvillim. Do të kërkojmë mbështetje për programet e zhvillimit. Brend këtij viti duhet të gjejmë përgjigje për temat e reformave dhe kemi përgatitur kërkesat dhe raportet tona për çfarë kemi bërë drejt transformimit të UP-së”, tha rektori.


Go to TOP