Reagim pas debatit për intervistën e Don Shan Zefi: Pretendohet për përkthim të pasaktë, pritet audio origjinale

Pas një vale reagimesh dhe kritikash publike gjatë gjithë ditës së sotme, janë ngritur dyshime serioze rreth saktësisë së përkthimit të intervistës së dhënë nga prifti katolik Don Shan Zefi.

Burime të afërta me gazetarin që ka realizuar intervistën bëjnë të ditur se gjatë bisedës nuk ka pasur përkthyes profesionist. Sipas konfirmimit me shkrim nga vetë gazetari, versioni i publikuar është një përkthim i mëvonshëm, i realizuar nga një palë tjetër dhe jo përkthim i drejtpërdrejtë gjatë intervistës.

Sipas sqarimeve, në intervistë nuk është thënë se “Islami nuk ka shpirt shqiptar”, siç është interpretuar në disa media dhe rrjete sociale. Kritika, thuhet, ka qenë e drejtuar ndaj të ashtuquajturave veshje arabe, të cilat në disa raste perceptohen si zbehje apo shtypje e kulturës dhe traditës shqiptare – një debat me natyrë kulturore dhe jo fetare.

Mbështetës të priftit theksojnë se këtu nuk bëhet fjalë për përkthim fjalë për fjalë, por për mënyrën se si është dëgjuar dhe interpretuar kuptimi. Sipas tyre, kur nga një kritikë kulturore krijohet një akuzë fetare, atëherë kemi të bëjmë me interpretim subjektiv dhe jo me raportim të saktë.

Në reagime është bërë thirrje që të shmangen insinuatat dhe krahasimet e pabazuara duke përmendur raste të mëhershme si ai i Nënë Tereza, ku sipas reagimeve, janë hedhur akuza pa prova konkrete.

Aktualisht, kërkesa kryesore mbetet publikimi i audios origjinale të intervistës. Sipas qëndrimeve të shprehura, vetëm materiali autentik mund të sqarojë përfundimisht se çfarë është thënë realisht.

“Pa audion origjinale nuk ka të vërtetë të plotë. Ka vetëm interpretime. Faktet, kur dalin, flasin vetë,” thuhet në reagim.

Deri në publikimin e materialit të plotë, debati mbetet i hapur. /Kosova.info/


Go to TOP