Ranieri synon rikthimin e Romës përballë Tottenham
Trajneri i ri i Romës, Claudio Ranieri, synon të rikthejë skuadrën në rrugën e sukseseve përballë Tottenhamit në ndeshjen e së enjtes në Londër, pavarësisht periudhës së vështirë që po kalojnë “verdhekuqtë”.
Dy skuadrat ndeshen të enjten në kuadër të Europa League.
Gjatë konferencës për shtyp, Ranieri është shprehur se po punon më shumë në aspektin mendor të ekipit sesa në atë taktik. “U kam kërkuar djemve që të japin gjithçka deri në sekondën e fundit dhe më pas do të pranojmë rezultatin që vjen”, ka thënë ai.
Trajneri italian e ka pranuar vështirësinë e sfidës, duke theksuar formën e shkëlqyer të Tottenhamit. “Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë. Tottenhami është në një moment të shkëlqyer, sapo e ka mposhtur Cityn 4-0 jashtë. Do përballemi me një ekip që ka fituar trembëdhjetë nga pesëmbëdhjetë ndeshjet e fundit evropiane, por ne do të luajmë lojën tonë pa frikë. Ndeshjet e fundit të tyre ishin të pabesueshme. E dua atë lloj futbolli”, ka thënë ai. “Trajneri po bën një punë të shkëlqyer. E përgëzoj”.