Ramush Haradinaj heq dorë nga kryetarllëku i AAK-së, Gjini shpall kandidaturën
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shpallur zgjedhjet e brendshme partiake, ndërsa kryetari Ramush Haradinaj ka njoftuar se nuk do të garojë më për postin e liderit të partisë.
Në një paraqitje për media, të shpërndarë edhe në Facebook, Haradinaj tha se pas një periudhe të gjatë në krye të AAK-së, ka vendosur të mos rikandidojë, duke iu hapur rrugë kuadrove të reja.
“Ne sapo kemi përfunduar takimin e 177-të të Këshillit të Përgjithshëm. I kemi dakorduar vendimet për trupat zgjedhore që i zgjedh Këshilli i Përgjithshëm, dhe po ashtu i kemi shpallur zgjedhjet e brendshme në të gjitha nivelet. Procesi zgjedhor fillon më 20 shkurt dhe përmbyllet më 6 qershor. Pra, orientimi ynë për Kuvendin është afati statutor katërvjeçar, me zgjedhje të rregullta. Është një situatë vërtet e mirë që me kohë i kemi bërë përgatitjet më të mira për këto zgjedhje”, tha ai.
Haradinaj shtoi se vendimi për të mos rikandidojë lidhet me tri arsye kryesore: kohën e gjatë në udhëheqje, rezultatet zgjedhore dhe besimin tek kuadri i partisë.
“Njëkohësisht, e di që është një risi dhe ndryshim fakti që nuk do të kandidoj për kryetar të Aleancës. Në këto zgjedhje ua kam treguar edhe kolegëve disa arsye, të cilat po i shpjegoj edhe juve. Një faktor është koha e gjatë në udhëheqje, që nga maji i vitit 2000, më pas edhe rezultati jo i mirë nga zgjedhjet”, tha ai.
Haradinaj mohoi gjithashtu çdo spekulim lidhur me një kandidaturë të mundshme për president të Kosovës. “Nuk jam kandidat për president të vendit. Nëse deputetët do të kërkonin ndonjë qëndrim nga unë, mund ta shqyrtoja, por për momentin nuk kemi një vendim të qartë”, deklaroi ai.
Si pasojë e këtij vendimi, Ardian Gjini ka shpallur tashmë kandidaturën për kryetar të AAK-së.
“I kemi edhe pak më shumë se tre muaj përpara. Të gjithë anëtarëve të Aleancës në mbarë Kosovën ua uroj hapjen e këtij procesi zgjedhor, tejet të rëndësishëm. Gjatë periudhës së zgjedhjeve brenda partisë, konsiderojmë që dyert janë të hapura për anëtarë të rinj që dëshirojnë të kontribuojnë për Kosovën me një koncept të qartë, duke e vendosur vendin në binarët e duhur. Për momentin, unë e kam shprehur vullnetin për kandidaturë, por gjatë këtyre tre muajve mund të shfaqen edhe kandidatura të reja. Aleanca mbetet e hapur për të gjithë anëtarët dhe anëtaret, si dhe për çdo formë tjetër të kontributit”, theksoi Ardian Gjini.
Kujtojmë se Ramush Haradinaj ka udhëhequr Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që nga themelimi i saj dhe ka shërbyer dy herë si kryeministër i vendit. /Kosova.info/
