Ramadani: LDK në Suedi rrit angazhimin për regjistrimin e diasporës, rritje e dukshme e përkrahjes në zgjedhjet e fundit lokale

Skënder Ramadani, anëtar i kryesisë së degës jugore të LDK-së në Suedi dhe njëherësh nënkryetar i nëndegës së LDK-së në Malmö, në një prononcim për Kosova.info ka bërë të ditur se struktura e partisë në diasporë është mobilizuar fuqishëm për procesin e regjistrimit të votuesve jashtë vendit.

Ai theksoi se nga dita kur është hap koha e aplikimit, veçanërisht nëpër nëndegë, është bërë një punë e jashtëzakonshme në kontaktimin dhe udhëheqjen e bashkatdhetarëve që identifikohen me LDK-në. Ramadani nënvizoi se posedojnë listat e anëtarëve dhe simpatizantëve të tyre, dhe se procesi po zhvillohet me intensitet të lartë.

Sipas tij, vetëm në regjionin Skåne jetojnë rreth 25 mijë shqiptarë, prej gjithsej 65 mijë sa vlerësohet të jenë në gjithë Suedinë. Kjo e bën këtë rajon një vatër të rëndësishme të elektoratit potencial të LDK-së në diasporë.

Ramadani shtoi se diaspora në Suedi po e sheh regjistrimin si një mjet të domosdoshëm për të ndikuar në zhvillimet politike në Kosovë, ndërkohë që strukturat e LDK-së në këtë shtet po punojnë çdo ditë për ta bërë procesin sa më të lehtë e sa më të shpejtë për secilin bashkatdhetar.

Ai rikujton se në zgjedhjet e fundit lokale, LDK ka shënuar rritje të konsiderueshme të përkrahjes së mërgatës në Suedi duke dëshmuar se organizimi dhe besimi i komunitetit vazhdon të forcohet nga cikli në cikël zgjedhor.

Në fund, ai ka bërë thirrje që çdo shqiptar në Suedi, pavarësisht zonës ku banon, të shfrytëzojë afatin e hapur për regjistrim dhe të japë kontributin e vet për ndryshimin në vend. /Kosova.info/


Go to TOP