Ramabaja: Qeveria Kurti III përballë kolonës së pestë, Kosova duhet të forcojë aleancat perëndimore
Analisti Sadri Ramabaja ka vlerësuar se krijimi i përshpejtuar i Qeverisë Kurti III, falë edhe qasjes së pjekur politike të figurave si Fatmir Limaj, krijon mundësinë për t’u përballur në kohë me kolonën e pestë, e cila sipas tij, ka kohë që punon për destabilizimin e vendit.
Ai theksoi se aktakuza ndaj dy personave të dyshuar si spiunë në shërbim të Serbisë është vetëm “maja e Ajzbergut” dhe se sfidat në fushën e sigurisë mbeten të mëdha.
Sipas Ramabajës, forcimi i marrëdhënieve me aleatët perëndimorë, sidomos në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, është i domosdoshëm për ta shndërruar Kosovën në një “kështjellë” që mbron interesat kombëtare. Ai nënvizoi rëndësinë e koordinimit me shtetet që po mbështesin Ukrainën duke argumentuar se stabiliteti i Ballkanit është i ndërlidhur me përpjekjet ndërkombëtare për sigurinë rajonale. /Kosova.info/
