Ramabaja: Inxhinjeringu politik si kiç për t’i mbajtur peng ëndrrat e Republikës
Analisti dhe profesori universitar Sadri Ramabaja ka reaguar pas një paraqitjeje mediale, duke e cilësuar si një tjetër përpjekje për inxhinjering politik dhe medial që synon të krijojë figura me përmasa mesianike në skenën politike shqiptare.
Ramabaja thekson se ky fenomen nuk është i ri, duke kujtuar se zanafilla e kësaj praktike shkon deri në vitin 1989, dhe sipas tij, gjithmonë ka pasur një prapaskenë të qartë.
“Inxhinjeringu politik e medial për krijimin e liderëve deri në përmasat mesianike ndër ne nuk është fenomen i ri. Nëse marrim në konsideratë zanafillën e sprovës së parë (1989), mund të merret me mend se kush qëndron edhe prapa kësaj që u shpërfaq sonte në njërën prej mediave më kontraverze në hapësirën tonë mediale,” shprehet Ramabaja.
Ai thekson se përzgjedhja e individëve për këtë rol është bërë nga segmente të caktuara të establishmentit serb të kohës së Jugosllavisë dhe se ata individë, në forma të ndryshme, i kanë shërbyer interesave serbe duke dëmtuar proceset historike të shqiptarëve.
“Ndërmarrje të kësaj natyre, edhe kur shfaqen si kiç, përmes formulave alkimike me konotacione politike donkishoteske, kanë për synim ta mbajnë peng Republikën dhe të manipulojnë me emocionet e popullit,” shton Ramabaja.
Në fund, ai paralajmëron se si eksperimenti i parë me minatorët në vitin 1989, edhe përpjekjet e sotme janë të destinuara të dështojnë: “Epoka e haxhiqamilve është stivuar tashmë në sirtarët e historisë.” /Kosova.info/
