Rama shpalos planin që për 7 minuta qytetarët të kryejnë shërbime në qendër të kryeqytetit

Kandidati i LDK për kryetar të komunës së Prishtinës Përparim Rama  ka prezantuar projektin e rregullimit të trafikut të titulluar “Prishtina – 7 minuta Qytet”. 

Nisur nga ankesat përgjatë viteve të banorëve të kryeqendrës së Kosovës për mbingarkesën e trafikut, mungesa e hapësirave publike, mungesën e shkollave dhe të çerdheve afër vendbanimeve, ose pamundësia e gjetjes së një vendparkimi edhe pasi kanë arritur në destinacion, Rama ndryshe nga kundërkandidati i tij ka dalë me një plan projekt për zgjidhjen e këtij problemi.

“Si rrjedhojë, për shkak të mbingarkesës në qytet, në Prishtinë nuk është fort e lehtë me qarkullua lirshëm, as në këmbë, as me transport alternativ ose urban. Projekti ynë kryesor, ai i Ridefinimit të Qendrës, vjen si zgjidhje ideale e shumë problemeve urbane, të cilat ndërlidhen ngushtë me njëra-tjetrën”, tha ai duke shpalosur projektin para mediave.

Ai tha se me riorganizimin e qendrës së qytetit, që parasheh si Qendër të re të Prishtinës të gjithë Rrethin Qendror, i cili do të tangjetohet nga 6 pika kyçe me parkingje nëntokësore, Prishtina do të shndërrohet në “7 minuta qytet”.

“Ky nocion nënkupton që secila pikë përbrenda qendrës, pra gjithçka që i nevojitet qytetarit brenda qendrës së Prishtinës, qoftë kjo shkollë, çerdhe, vend i punës, shërbim, hapësirë e gjelbëruar, kinema apo shfaqje teatrale, do të jetë vetëm 7 minuta larg në këmbë ose me transportin alternativ dhe të autobusëve urbanë, të cilët do të qarkullojnë në një frekuencë brenda 7 minutave”, tha Rama. 

Ai premtoi se  lagjet përreth do të kenë qasje të lehtë e më të shpejtë në këtë zonë të qendrës. Projekti i Ridefinimit të Qendrës së qytetit, duke e vendosur në fokus këmbësorin dhe transportin alternativ, do të na mundësojë një jetë më cilësore e më të shëndetshme, e do të na lejojë të shijojmë përjetime pozitive në përditshmërinë tonë.

”Ridefinimi i qendrës e rritë vlerën shoqërore në gjithë këtë zonë dhe të gjitha lagjeve përreth”, tha Rama duke nënvizuar se në ditët në vijim, do të vazhdojnë takimet në të gjitha pjesët e qytetit për t’ju informuar më detajisht për projektet e tij për Prishtinën praktike, të pastër dhe të përjetimeve. /Kosova.info/

Go to TOP