Rama prezenton projektet e `Arkitektit të Kryeqytetit`, reagon opozita

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me disa nga drejtorët, kanë mbajtur sot konferencë tërë ditore për ta prezantuar punën dhe projektet që janë duke u realizuar nga Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit. Por, opozita në kryeqytet, prezantimin e sotëm më shumë po e shohin si shpërfaqje e mospunës së Ramës.

Përgjatë 24 orëve ne Prishtinë hyjnë 140 mijë makina, prej tyre 13 mijë vetëm gjatë orëve kulmore, nga të cilat 9 mijë qarkullojnë vetëm në unazën e brendshme. Kështu bëri të ditur kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, gjatë prezantimit të projektit Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit. Rama shtoi se mbingakesa në trafik është një telash i madh, për të cilin kërkohet zgjidhje.

“Projektet p.sh., për çerdhet, për shkollat nëpër pjesë të ndryshme të kryeqytetit një numër të madh jemi duke i ndërtuar paralelisht, tash janë 7 shkolla të ndryshme në pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Jemi duke punuar me drejtoreshën e arsimit edhe për  arsimin tërë ditor në 5 shkolla tash. Të gjitha këto patjetër do të kenë një impakt pozitiv në përmirësimin e trafikut në kryeqytet”.

“Në qoftë se e shikojmë problemin e trafikut të qytetit të Prishtinës, nuk e shohim vetëm veturën, duhet me qenë korrekt dhe të qartë sepse kemi edhe këmbësor, kemi edhe çiklista, kemi edhe pjesëmarrës të transportit publik. Cka është më e rëndësishmja edhe çka duhet me theksu, ne nuk po e ndalojmë qasjen në qendër të qytetit të Prishtinës, ne vetëm po riorganizojmë diçka ku edhe ai qytetar që është skeptik, ka me pa që shumë më shpejt ka me mbërri shkollën ose obligimet ditore që i ka”, tha Ramadan Duraku, bashkëpunëtor në zyrën e arkitektit të kryeqytetit.

Asamblistët nga opozita në kryeqytet, prezantimin e sotëm më shumë e shohin si shpërfaqje e mospunës së Ramës.

“Projekti i Arkitektit të Kryeqytetit tash e sa kohë është tek krimet ekonomike. Në asnjë moment asnjëherë nuk jemi kundër zhvillimit të qytetit, kundër bllokimit të projekteve, por jemi kundër abuzimit me mjete të qytetarëve. Komuna e Prishtinës ka pas dhe ka arkitekt, ka mund të rritet numri i tyre në mënyrë që të bëjnë projekte aty ku duhet dhe ato projekte të cilat janë buxhetuara. Tani ne kemi një zyrë arkitekturore e cila vazhdimisht prodhon projekte për të cilat paguhet me shuma marramendëse  ndërkohë që në nuk kemi implementim të këtyre projekteve në praktik“, tha Gëzim Sfeçla, asamblist i LVV-së.

“Nga buxheti i taksapaguesve të kryeqytetit janë paguar rreth 3 milion euro për faturat, për shërbimet të cilat ende nuk i kemi parë nga Arkitekti i Kryeqytetit. Mendoj që vlera e këtyre faturave e cila veç është paguar që është rreth 3 milionë euro, sikur të kishte shkuar në ndërrimin e rreth 3 shkollave ose 3 çerdheve, të paktën ato do t’i kishim në terren. Por e vërteta është që ato tashmë nuk i kemi, as 3 shkolla e as 3 çerdhe e as 3 milionë euro në buxhetin e kryeqytetit”, deklaroi Granit Geci, asamblist i PDK-së.

Në këtë konferencë u prezantua edhe Bulevardi Qendror i Qytetit, i cili u cilësua si boshti i kryeqytetit. Rama prezantoi mbikalimet për të cilat tashmë ka nisur procesi i tenderimit, në mesin e tyre edhe atë që lidh Lagjen Arbëria me Pallatin e Rinisë.

Go to TOP