Rama: Më gëzoi lajmi që Elza Ujkani ka dalë nga spitali, po merremi seriozisht me sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se i është gëzuar lajmit për lirimin e Elza Ujkanit nga spitali.

“Më gëzoi fort lajmi që Elza Ujkani ka dalë nga spitali. Rikuperimi i saj mbas dy operacioneve të vështira, por të suksesshme, është tregues i forcës së saj shpirtërore, besimit dhe pozitivitetit, me të cilët ajo i bëri ballë gjithë asaj vuajtjeje. Jemi jashtëzakonisht të lumtur për rikuperimin e saj dhe mirënjohës për përkushtimin dhe përkujdesjen e stafit mjekësor që e trajtoi.”

Rama tha se rasti i preku të gjithë dhe se për atë si kryetar e si prind prioritet kryesor është siguria e qytetarëve dhe shëndeti i tyre. Ai tha se po merren shumë seriozisht me këtë çështje.

“Fatkeqësia që përfshiu Elzën na preku thellë të gjithëve. Për mua si kryetar i Kryeqytetit, por edhe si prind i tre fëmijëve, siguria e qytetarëve tanë dhe shëndeti i tyre janë prioriteti ynë kryesor. Prandaj, i siguroj qytetarët se po e marrim këtë çështje shumë seriozisht.”

I pari i Prishtinës tha se janë “të përkushtuar të identifikojnë dhe të adresojnë çdo rrezik potencial, për të parandaluar fatkeqësi të ngjashme”.

Rama shtoi se do të mbajnë të informuar për ecurinë e inspektimeve dhe çdo veprim të ndërmarrë për të siguruar integritetin strukturor të ndërtesave në qytet, e sidomos ato që janë në pronësi të komunës.

“Do t’ju mbajmë të informuar mbi ecurinë e inspektimeve dhe çdo veprim të ndërmarrë për të siguruar integritetin strukturor të të gjitha ndërtesave të qytetit tonë e veçanërisht atyre që janë në pronësim të Kryeqytetit.”

Më 18 janar të këtij viti për shkak të erës së fortë, Elza Ujkanit i kishte rënë çatia e Komunës së Prishtinës. Ajo, të hënën e 25 marsit, në një postim në Facebook u rrëfye për gjithë ngjarjen.

Go to TOP