Raketa më e fuqishme në botë, Starship shkatërrohet gjatë kthimit në Tokë

Raketa më e madhe dhe më e fuqishme në botë, Starship e SpaceX, është shkatërruar gjatë kthimit në Tokë, pasi pothuajse përfundoi fluturimin e tretë.

Struktura 120 metra u ngrit nga porti kozmik i SpaceX në Teksas i quajtur Starbase, për të realizuar fluturimin e tretë të saj.

Për herë të parë, raketa fluturoi rreth globit, por kontaktin e humbi gjatë fazës përfundimtare, pikërisht kur u kthye në atmosferë.

“Anija ka humbur. Por, përsëri është e pabesueshme të shohësh se sa shumë arritëm këtë herë”, tha Dan Hout i SpaceX, duke theksuar se anija është djegur ose copëtuar gjatë kthimit.

Ndryshe, dy përpjekjet e mëparshme të raketës kanë përfunduar me shpërthim. Përpjekja e parë e Starship ka zgjatur katër minuta, ndërsa e dyta tetë. Përpjekja e tretë dhe më e suksesshmja deri më tani ka zgjatur më shumë se 50 minuta.

Sipas SpaceX, testimi i shpeshtë i fluturimeve do të sigurojë të dhëna të vlefshme që do ta ndihmojnë atë të zhvillojë një raketë tjetër më të fuqishme.

“Secili prej këtyre testeve, vazhdon të jetë pikërisht një provë”, tha kompania përpara nisjes së tretë, në një përpjekje të dukshme për të menaxhuar pritshmëritë në rast se sistemi shpërthen.

Themeluesi i SpaceX, Elon Musk, tha se raketën e ka zhvilluar në mënyrë që njerëzit të mund të bëhen përfundimisht “specie multiplanetare”.

Për ta bërë këtë, miliarderi synon të fillojë kolonizimin e Marsit, në mënyrë që njerëzimi të mund t’i mbijetojë shkatërrimit të planetit tonë për shembull nga një goditje asteroidi.

Por, raketa do të kryejë edhe qindra misione tjera pa ekuipazh përpara se të transportojë njerëzit e saj të parë.

Kompania ka njoftuar se në planet e saj afatgjata përfshihet edhe mundësia për të përdorur raketën për udhëtime komerciale në Tokë, duke premtuar udhëtime nga Londra në Tokio në më pak se një orë.

Go to TOP