Raketa e Musk u rrëzua në ulje, fluturimet e reja ndaluan

Administrata Federale e Aviacionit Amerikan (FAA) tha sot se fluturimet e raketës Falcon 9 të SpaceX janë pezulluar pasi ajo dështoi në ulje gjatë një misioni rutinë për vendosjen e satelitit Starlink.

Një raketë Falcon 9 lëshoi me sukses grupin e satelitëve të internetit Starlink në orbitë herët në mëngjes të së mërkurës. Raketa e ripërdorshme u kthye në Tokë dhe tentoi një ulje normale në një platformë në det, por për shkak të një afrimi të ngathët, ajo u kthye në oqean, siç shihet në transmetimin e drejtpërdrejtë të SpaceX.

“Incidenti përfshiu uljen e pasuksesshme të një rakete Falcon 9 në një platformë në det të hapur. Nuk pati raportime për lëndime apo dëmtime në pronën publike. FAA ka kërkuar një hetim,” tha një zëdhënës i agjencisë.

Pezullimi i raketës Falcon 9, tek i cili mbështetet pjesa më e madhe e botës perëndimore për të dërguar satelitë dhe njerëz në hapësirë, nuk është një dukuri e zakonshme. Hera e fundit që kjo ndodhi ishte në korrik, hera e parë që nga viti 2016, pasi një mosfunksionim në hapësirë ​​e bëri të papërdorshëm grupin e satelitëve Starlink.

FAA rregullon aktivitetet e raketave private dhe vendeve të lëshimit në mënyrë që ato të mos ndikojnë në sigurinë publike. Të mërkurën, agjencia i kërkoi SpaceX të hapë një hetim që do të mbikëqyret nga FAA.

Go to TOP