Rafuna në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së: Do të trasohet rruga për një të ardhme më stabile

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ishte pjesë e Samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian, që është mbajtur në Kotor, Mal të Zi, këtë të enjte.

Rafuna, foli për rëndësinë kritike të Planit të Rritjes (Ekonomike) për Ballkanin Perëndimor të BE-së si dhe mekanizmave tjerë të mbështetur nga BE-ja e që kanë për synim rritjen ekonomike të vendeve të Ballkanit dhe përgatitjen e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Duke përqafuar Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si dhe mekanizmat si Tregu i përbashkët rajonal dhe Ndihma për reforma dhe zhvillim, do të vihet në lëvizje tërë potenciali ekonomik i rajonit tonë, do të shtohen mundësitë për qytetarët tonë dhe do të trasohet rruga për një të ardhme më stabile e me më shumë prosperitet”, u shpreh Rafuna në fjalimin e tij.

Sipas komunikatës nga OEK, ky samit, që këtë herë është zhvilluar nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”, është mbajtur pas samiteve të tjera të mbajtura në Shkup dhe Tiranë.

Në të kanë marrë pjesë edhe Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Vargelly, dhe Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ndërsa përveç liderëve dhe ministrave nga vendet e rajonit, kanë marrë pjesë edhe organizata partnere si Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Botërore, GIZ, përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian dhe të tjerë.

Një ditë para Samitit, më 15 maj, është mbajtur Takimi i ministrave të çështjeve evropiane dhe financave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe organizatave partnere.

Në këtë takim, Rafuna, foli për rëndësinë e Tregut të përbashkët si mekanizëm për të intensifikuar bashkëpunimin rajonal dhe afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në.

“Përfitimet nga Tregu i përbashkët janë më shumë se ekonomike”, u shpreh Rafuna, dhe shtoi se tregu i përbashkët “fuqizon bashkëpunim e integrim më të madh të rajonit” dhe “na sjell edhe më afër BE-së, që e synojmë të gjithë”.

Në këto takime, si dhe në dy samitet paraprake, liderët dhe ministrat e vendeve të rajonit dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës diskutuan Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar transformimin socio-ekonomik të rajonit dhe afrimin sa më të shpejtë me Bashkimin Evropian.

Go to TOP