Racizmi dhe provokimet anti-Kosovë në Rumani: FFK kërkon masa të rrepta nga UEFA pas incidenteve të rënda

Federata e Futbollit të Kosovës dënon ashpër provokimet dhe sjelljet raciste gjatë ndeshjes ndaj Rumanisë

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka reaguar fuqishëm ndaj provokimeve dhe sjelljeve raciste të tifozëve rumunë gjatë ndeshjes së UEFA Nations League ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës, e cila u zhvillua në Bukuresht. Ndeshja u ndërpre pas thirrjeve të përsëritura raciste dhe anti-Kosovë, si “Kosovo is Serbia” dhe “Serbia, Serbia,” të cilat shoqëruan edhe fishkëllimat gjatë himnit të Kosovës dhe veprime të tjera të rënda që minuan sigurinë dhe dinjitetin e lojtarëve kosovarë.

FFK kishte paralajmëruar UEFA-n për rrezikun e incidenteve të tilla, por pavarësisht nga kjo, situata u përshkallëzua, duke detyruar ndërprerjen e ndeshjes. Sjelljet raciste vazhduan edhe gjatë ndërprerjes, duke sfiduar çdo përpjekje për rikthimin e lojës.

Për më tepër, pas ndeshjes, një zyrtar rumun ndërhyri në konferencën për shtyp të ekipit kosovar dhe kërcënoi një lojtar në korridoret e stadiumit, duke shtuar më tej gravitetin e incidentit.

FFK ka raportuar të gjitha incidentet te delegati i ndeshjes dhe ka nisur përgatitjen e një ankese zyrtare për organet disiplinore të UEFA-s. Federata shpreh bindjen se UEFA do të reagojë fuqishëm ndaj këtyre akteve që bien ndesh me vlerat dhe rregulloret e saj.

Në deklaratën përfundimtare, FFK nënvizon angazhimin për mbrojtjen e dinjitetit të Kombëtares së Kosovës dhe kërkon zero tolerancë ndaj racizmit dhe diskriminimit në sport. /Kosova.info/


Go to TOP