Qeveria `Konjufca 1` nuk duket e sigurt për 19 nëntor
Afati i mandatit të dytë për krijimin e qeverisë së re të Glauk Konjufcës skadon më 19 nëntor. Deri atëherë, ai duhet ta paraqesë para Kuvendit të Kosovës kabinetin e ri për votim. Megjithatë, gjasat që vendi të ketë qeverinë “Konjufca 1” nga e mërkura e ardhshme duket se mbeten të pasigurta. Në studion e `RTK Prime`, panelistët diskutuan rreth mundësive dhe sfidave politike që mund të ndikojnë në formimin e qeverisë.
Melazim Koci, politolog, tha se nuk sheh përpjekje që kjo të ndodhë. Sipas tij, ndoshta edhe mund të qëndrojë supozimi i partive të deridjeshme opozitare se LVV-ja mund të dëshirojë zgjedhje më 21 ose 28 dhjetor.
“Por më duhet të them një gjë: edhe vetë opozita është shumë kontradiktore. Nëse thua se Kurti po synon zgjedhjet më 21 ose 28 dhjetor, atëherë duhet të bësh diçka për ta penguar dhe evituar atë datë. Dhe çfarë mund të bësh? Mund të ulesh si opozitë dhe të vendosësh të thuash se do ta votojmë një qeveri të pakicës. Jo një nga partitë, sepse nëse voton vetëm njëra, ajo dëmtohet në zgjedhjet e ardhshme, goditet elektoralisht, por mund të ketë një marrëveshje që dy deputetë nga PDK-ja, dy nga LDK-ja dhe një nga AAK-ja të votojnë qeverinë e pakicës”, deklaroi ai.
Avokati Tomë Gashi e ka lidhur dorëheqjen e Memli Krasniqit nga drejtimi i PDK-së me mundësinë e votimit për qeverinë e Konjufcës.
“Dhe në prizmin tim, thuajse është punë e ditur që konventa e PDK-së do të sjellë kryetarin e ri, që me shumë gjasë do të jetë Bedri Hamza. Kështu, ndoshta do të ishte një hap i mirë që PDK ta votojë qeverinë Konjufca, dhe unë mendoj se do të ishte një gjë shumë e mirë për shtetin. Nëse kjo ndodh, do të ishte një rikthim i mirë i popullaritetit të PDK-së, sepse do të dilte si parti zhbllokuese dhe nuk do ta mbante shtetin të bllokuar gjatë këtyre muajve”, tha ndër të tjerash Gashi.
Por, analisti Sadik Zeqiri këtë e quajti vetëm një dëshirë të militantëve të Vetëvendosjes.
“Militantët e LVV-së janë të gëzuar që me ardhjen e Hamzës do të votohet qeveria Konjufca. Por kjo është parë në mesazhin që ka dhënë Memli Krasniqi, i cili ka thënë se i ka ardhur koha që PDK-në ta udhëheq një njeri që do të jetë edhe kandidat për kryeministër. Kjo nënkupton se nuk do ta votojnë asnjë qeveri tjetër, përveçse do të shkojnë në zgjedhje për të fituar garën vetë PDK-ja”, deklaroi ai.
Analisti tjetër, Ermal Sadiku, tha se Vetëvendosjes i konvenon polarizimi. Sipas tij, kur një parti ka 42 përqind të votave, duhet të marrë edhe përgjegjësi për të shtyrë proceset përpara.
“Atë proces kanë mundur ta shtyjnë nga marsi deri tash, por nuk kanë dashur. Mendoj se janë fajtorë të vetëm pse sot nuk kemi buxhet, sepse kanë mundur brenda tre ditësh të zgjedhin një kryeparlamentar. Për shembull, sot kemi Dimal Bashën; kanë mundur ta propozojnë një ditë pasi kanë parë se nuk i kanë votat për Haxhiun. Atyre, me ligj, u takon kryeparlamentari, por gjithashtu duhet të ketë shumicën. Tash, pasi e ke bërë atë gjest, 50 herë e ke lënë këtë shtet ‘vjerrë’ dhe në fund del dhe thua ‘votoni qeverinë sepse mbetëm pa buxhet’. Kjo është e padinjitetshme, hipokrizi, nuk është fer para qytetarit dhe nuk është e vërtetë”, deklaroi Sadiku në RTK Prime.
