​Qeveria e Kosovës vendos sanksione të reja ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë

Qeveria e Kosovës në detyrë, në mbledhjen e sotme, ka miratuar vendimin për ashpërsimin e sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë duke u harmonizuar plotësisht me politikat e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ky hap është dëshmi e angazhimit të Kosovës për të mbështetur Ukrainën dhe për të ndjekur rrugën e koordinimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

“Për të mbështetur kundërshtimin e agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës, në përputhje me masat dhe sanksionet e BE-së dhe SHBA-së, MPJD propozon për shqyrtim dhe miratim vendimin për zbatimin e pakos së 15, 16, 17 dhe 18 të sanksioneve të BE-së ndaj Federatës Ruse, si dhe masave shtesë përkatëse”, u shpreh Sveçla.

Pakoja e 15-të, e miratuar më 16 dhjetor 2024, përfshinte ngrirje pasurish dhe ndalime udhëtimi për 54 individë dhe 30 entitete, si dhe masa të reja kufizuese kundër të ashtuquajturës flotë ruse në hije, me 52 anije të listuara. Po ashtu, u ndaluan eksportet për teknologji me përdorim të dyfishtë.

Në shkurt 2025, me pakon e 16-të, BE shtoi 48 individë dhe 35 entitete në listën e zezë, ndaloi importin e aluminit nga Rusia dhe përfshiu edhe 74 anije të tjera duke e çuar numrin në 153. Masa shtesë prekën sektorin energjetik, transitin dhe shërbimet që ndihmojnë shmangien e sanksioneve, ndërsa sanksionet ndaj Bjellorusisë dhe territoreve të pushtuara u unifikuan me ato ndaj Rusisë.

Në maj u miratua pakoja e 17-të, me fokus te kërcënimet hibride, dezinformimi dhe sulmet kibernetike. Ajo vendosi kufizime për mediat shtetërore ruse në territorin e BE-së, ndalime për mallra dhe teknologji ushtarake, si dhe sanksione ndaj individëve e kompanive që ndihmonin Moskën të shmangte masat ekzistuese.

Ndërkaq, pakoja e 18-të, e miratuar në korrik 2025, solli masa të forta ekonomike, përfshirë uljen e çmimit të kufirit për naftën bruto ruse nga 60 dollarë në 47,60 dollarë për fuçi, me rishikime çdo gjashtë muaj. Ajo ndaloi transaksionet që lidhen me tubacionet Nord Stream 1 dhe 2, bllokoi importet e produkteve të rafinuara të naftës ruse në vende të treta dhe zgjeroi listën e flotës në hije. Paketa përfshiu gjithashtu masa financiare të gjera dhe ndalime të reja për eksportin e teknologjive strategjike.

Me këtë vendim, Kosova rikonfirmon qëndrimin e saj të palëkundur në mbështetje të Ukrainës dhe në përputhje me orientimin euroatlantik. /Kosova.info/


Go to TOP