‘Punonjësit e Tesla-s shpërndanin fotografi intime të vozitëse të kapura me kamerë’

Mes viteve 2019 dhe 2022, grupe punonjësish të Tesla-s shpërndanë privatisht përmes një sistemi të brendshëm të mesazheve video dhe imazhe shumë intime të regjistruara nga kamerat e makinave të klientëve, sipas intervistave nga Reuters me nëntë ish-punonjës.

Disa nga regjistrimet kapën klientët e Tesla-s në situata të sikletshme. Një ish-punonjës përshkroi një video të një burri që i afrohej automjetit krejtësisht lakuriq.

Punonjësit po ashtu shpërndanë aksidente dhe incidente në rrugë. Një video e përplasjes në vitin 2021 tregoi një Tesla duke vozitur me shpejtësi të madhe në një zonë banimi duke goditur një fëmijë në biçikletë, sipas një ish-punonjësi tjetër. Fëmija fluturoi në një drejtim, biçikleta në një tjetër. Videoja u përhap rreth një zyre të Tesla-s në San Mateo, Kaliforni, përmes bisedave private një-me-një, tregoi ish-punonjësi.

Imazhet e tjera ishin më të zakonshme, të tilla si fotografitë e qenve dhe tabelat qesharake rrugore që punonjësit i bënin meme duke i zbukuruar me tituj ose komente zbavitëse, përpara se t’i postonin në biseda private në grup. Teksa disa postime u ndanë vetëm midis dy punonjësve, të tjerët mund të shiheshin nga shumë prej tyre, sipas disa ish-punonjësve.

Tesla thekson në njoftimin e saj të privatësisë së klientit në internet se “incizimet e saj të kamerës mbeten anonime dhe nuk janë të lidhura me ju ose me automjetin tuaj”. Por shtatë ish-punonjës i thanë Reuters se programi kompjuterik që përdornin në punë mund të tregonte vendndodhjen e regjistrimeve, të cilat potencialisht mund të zbulonin se ku jetonte një pronar i Tesla-s.

Një ish-punonjës tha gjithashtu se disa regjistrime dukej se ishin bërë kur makinat ishin parkuar dhe fikur. Disa vite më parë, Tesla merrte video incizime nga automjetet e saj edhe kur ato ishin të fikur, nëse pronarët jepnin pëlqimin. Që atëherë kompania ka ndaluar së vepruari kështu, raporton Reuters.

Tesla siguron miliona pronarë të makinave elektrike se privatësia e tyre “është dhe do të jetë gjithmonë jashtëzakonisht e rëndësishme për ne”. Kamerat që ndërton në automjete për të ndihmuar drejtimin, thuhet në faqen e tyre të internetit, janë “të dizajnuara nga themeli për të mbrojtur privatësinë tuaj”.

Go to TOP