Protestuesit djegin shtëpitë e politikanëve gjatë natës së trazirave në Sri Lanka

Turmat e zemëruara në Sri Lanka kanë djegur disa shtëpi që i përkisnin zyrtarëve dhe deputetëve, pasi ata u sulmuan nga mbështetësit e qeverisë.

Sipas mediave të huaja, dhuna mbylli një ditë trazirash që sollën dorëheqjen e kryeministrit Mahinda Rajapaksa mes protestave masive kundër trajtimit të krizës ekonomike nga qeveria e tij.

Por kjo nuk arriti të qetësonte demonstruesit, të cilët u përpoqën të sulmonin rezidencën e tij zyrtare ndërsa ai ishte ende brenda.

Si pasojë, raportohet se shtatë persona kanë vdekur dhe më shumë se 190 janë plagosur që nga e hëna.

Një shtetrrethim në të gjithë ishullin është zgjatur deri në mëngjesin e së mërkurës pasi autoritetet kërkojnë të shuajnë dhunën.

Në anën tjetër, shumë protestues ende po bëjnë thirrje që presidenti Gotabaya Rajapaksa, vëllai i Mahinda, të largohet nga detyra.

Që nga muaji i kaluar Sri Lanka është kapluar nga përshkallëzimi i demonstratave për rritjen e çmimeve dhe ndërprerjet e energjisë elektrike.

Policia dhe skuadrat e trazirave u vendosën dhe gaz lotsjellës dhe topa uji u hodhën ndaj mbështetësve të qeverisë pasi ata shkelën linjat e policisë dhe sulmuan protestuesit duke përdorur shkopinj dhe shtylla.

Demonstruesit e zemëruar u hakmorën, duke sulmuar mbështetësit e qeverisë dhe duke synuar deputetët e partisë në pushtet.

Go to TOP