Protestë e Fakultetit të Bujqësisë dhe të Veterinarisë: Kërkojnë lirimin e objektit 7 milionësh
Fakulteti i Bujqësisë dhe i Veterinarisë (FBV) i Universitetit të Prishtinës organizoi sot dy protesta simbolike pranë një objekti të KEDS-it që gjendet në oborrin e FBV-së duke denoncuar bllokadën që po pengon shfrytëzimin e objektit të ri të fakultetit, i cili ka kushtuar rreth 7 milionë euro.
Ndërtesa, e ndërtuar vite më parë për nevojat akademike të fakultetit, vazhdon të mos funksionalizohet për shkak të okupimit të hapësirave nga KEDS-i. Negociatat mes Universitetit të Prishtinës dhe kompanisë energjetike kanë dështuar, pasi KEDS-i nuk ka pranuar lirimin e disa objekteve që sipas UP-së pengojnë funksionalizimin e objektit të ri.

Protesta e mbrëmjes u mbajt me pjesëmarrjen e rektorit Arben Hajrullahu, dekani, profesorë, administratë dhe praninë e policisë së Fushë Kosovës. Studentët dhe stafi akademik paralajmëruan se në ditët në vijim protestat do të intensifikohen, dhe nëse situata nuk zgjidhet, do të ndërmerren masa më të mëdha dhe bllokada të reja deri në zhbllokimin e plotë të objektit.
Universiteti apelon tek institucionet qendrore për ndërhyrje urgjente duke theksuar se vonesat e vazhdueshme rrezikojnë akreditimin e fakultetit dhe cilësinë e studimeve për studentët. /Kosova.info/
