Prosper: Dëshmitarët ndërkombëtarë treguan se UÇK-ja s’ishte komandë efektive

Prosper foli për secilin nga dëshmitarët ndërkombëtarë duke treguar rolin e tyre dhe peshën që kishin. Ai trajtoi edhe një deklaratë të bërë nga Prokuroria, që tha se Thaçi kishte gënjyer James Rubinin dhe Wesley Clarkun.

“Në thelb ai tha se ndërkombëtarët Rubin, Clark, u mashtruan prej një 29-vjeçari siç ishte Thaçi. Vërtetë e besoni këtë? Ky person u hodhi hi syve këtyre personave kaq të nderuar. Sigurisht që jo”, tha Prosper.

Sipas tij, dëshmitarët “erdhën dhe thanë se nuk ka pasur komandë dhe kontroll efektive të UÇK-së, strukturë politike, Thaçi nuk ishte përgjegjës dhe konflikti i armatosur përfundoi në qershor 1999. ZPS nuk do që ju të fokusoheni këtu, madje nuk i thirrën këta dëshmitarë që përmenden në të gjitha provat. Por, ZPS-ja vjen këtu sot dhe merret me prova shkresore, përpiqet të shtrembërojë faktet”.

Prosper kritikon Prokurorinë lidhur me dëshmitarët ndërkombëtarë të mbrojtjes

Pas Tavakolit, fjalën e mori mbrojtësi tjetër i Thaçit, Pierre-Richard Prosper. Ai kritikoi ZPS-në për mënyrën se si i ka trajtuar dëshmitë e shtatë dëshmitarëve ndërkombëtarë të mbrojtjes.

Prokuroria, tha ai, pretendoi se shtatë dëshmitarët nuk kishin njohuri të thella për UÇK-në, nuk kishin lexuar rregulloret e as komunikatat e saj dhe nuk ia njihnin strukturën.

“Këto komente tregojnë arrogancë, mungesë respekti që ka qenë e pranishme qysh në fillim të këtij procesi”, tha Prosper.

“Duhet të kujtojmë rëndësinë e dëshmitarëve. Duhet të respektoni rolin që kanë pasur, shtetet që përfaqësojnë”, shtoi Prosper, duke theksuar se ata nuk dolën para gjykatores si persona privatë, por në kohën e luftës kishin pasur role të rëndësishme dhe përfaqësonin SHBA-në, NATO-n e OKB-në.

Në mesin e dëshmitarëve të mbrojtjes ë Thaçit që u paraqitën në Hagë ishin kryesisht zyrtarë të lartë perëndimorë. Aty u përfshin ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, gjenerali amerikan në pension, Welsley Clark, dhe diplomati amerikan në pension, Christopher Hill.


Go to TOP