Prokuroria për Bislimin: Nuk mund të japim detaje në fazën fillestare
Prokuroria Speciale lidhur me intervistimin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi sot, rreth dyshimeve për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore, ka thënë se s’mund të jap detaje.
“Në kuadër të zhvillimit të hetimeve, të mërkurën në Prokurorinë Speciale është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit z. Besnik Bislimi. Por, nuk jemi në gjendje sot të diskutojmë apo japim detaje, meqë çështja është në fazën fillestare të hetimeve”, konfirmon zëdhënësja Arbnora Luta.
Më tej ajo ka theksuar se PSRK, në koordinim me Policinë është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar të gjitha provat që do të shërbejnë për zbardhjen e rastit konkret.
Bislimi ka dhënë deklaratë për rastin e hetimeve mbi dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për mbetje shtazore nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Ndërkaq në një reagim të tij në facebook, ai ka thënë se nuk ka pranuar ndonjë pyetje në cilësinë e dëshmitarit, teksa ka kritikuar se ky proces ka ndodhur për t’u bërë lajm mediatik.
