Prokuroria ngre aktakuzë për vjedhjen e mbi 3 kg ari në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër Sh.H., i cili ndodhet në paraburgim që nga 23 qershori, nën dyshimin për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhje e rëndë e mbetur në tentativë”, shkruan Kosova.info.

Sipas prokurorisë, më 12 janar 2025, në orët e hershme të mëngjesit, Sh.H., nga fshati Greme i Ferizajt, së bashku me shtetasin bullgar V.G., kanë hyrë me forcë në një argjendari në Prizren, prej nga kanë marrë rreth 3 kilogramë ari, një sasi argjendi dhe sende të tjera me vlerë rreth 195 mijë euro.

Po atë natë, të pandehurit kanë tentuar të grabisin edhe një argjendari tjetër në qytet, por nuk kanë arritur të hapin kasafortën. Ndërsa, më 23 janar të po atij viti, Sh.H. akuzohet se ka hyrë me forcë edhe në një lokal tjetër, prej nga ka marrë pajisje elektronike.

Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e pasurisë së të pandehurit, përfshirë disa automjete dhe një apartament në Ferizaj. Gjithashtu është propozuar që ai të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit./Kosova.info/


Go to TOP