Projektligjet për KPK-në dhe KPM-në, LDK: Kemi nisur hartimin e lëndëve përkatëse për Gjykatën Kushtetuese

Në Kuvendin e Kosovës janë miratuar sot projektligjet për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Komisionin e Pavarur të Mediave.

Ky miratim ka ardhur duke u votuar vetëm nga deputetët e pozitës.

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka thënë se votimet e sotme në sallën e improvizuar të Kuvendit të Kosovës nga deputetët e partisë në pushtet, të dy ligjeve jetike për organizmin tonë shoqëror, atij të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij të Komisionit të Pavarur të Mediave, shpërfaqin tendencën e kapjes kundërkushtetuese të institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës.

Sipas LDK-së, “kjo praktikë është vazhdimësi e përpjekjeve të vazhduara populliste të Albin Kurtit për hartimin e ligjeve që nuk respektojnë ekuilibrin demokratik në vend, sikurse dhe ndarjen e roleve të institucioneve të pavarura brenda Kosovës”.

“LDK-ja as nuk pranon e as nuk toleron tendencën e kapjes së drejtësisë dhe të mediave. Demokracia si vlerë e si praktikë, për ekstremistët e majtë mund të jetë e rëndë, por për Republikën e Kosovës është e shenjtë”.

LDK ka thënë se ka nisur hartimin e lëndëve përkatëse për Gjykatën Kushtetuese.

“Prandaj, që nga sot, ekipet tona punuese, kanë nisur hartimin e lëndëve përkatëse për Gjykatën Kushtetuese, me bindjen e plotë, se sikurse në dhjetë rastet e kaluara kundërkushtetuese edhe dy ligjet e sotme do të marrin të njëjtin përfundim. Fatkeqësisht për vendin, humbja e kohës për të pasur një reformë të denjë e thelbësore në drejtësi, mbetet e parikuperuar. Ky pushtet, po i përfundon të katër vite qeverisje, në përpjekje antikushtetuese të kapjes së institucioneve, pa ndonjë rezultat konkret e pa ndonjë zhvillim thelbësor në asnjë fushë”. /Kosova.info/

Go to TOP