Prishtina, pjesë e konferencës së 45-të të policive evropiane

Policia e Kosovës ka njoftuar se në Madrid të Spanjës më 27 maj ka filluar punimet konferenca e 45-të e Policive të Kryeqyteteve Evropiane.

Sipas njoftimit, në këtë konferencë, bashkë me shefa të policisë së kryeqyteteve evropiane, po marrin pjesë përfaqësues nga Policia e Kosovës, respektivisht drejtori i drejtorisë Rajonale i Policisë së Prishtinës, nënkolonel Basri Shabani dhe drejtori i Drejtorisë së Kryeqytetit, major Bekim Bislimi.

“Tema të diskutimit në këtë konferencë ishin shkëmbimi i eksperiencave policore me qëllim të gjetjes së mjeteve dhe metodave si dhe ndërmarrja e masave të cilat do të ishin në funksion të koordinimit dhe ngritjes së kualitetit të bashkëpunimit në mes policive të kryeqyteteve evropiane në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera, theksohet se tema kryesore ishin: trajtimi i rasteve të dhunës në familje dhe gjinore, siguria kibernetike, siguria në trafikun rrugor në kryeqytete etj.

“Konferenca e 45-të e Policive të Kryeqyteteve Evropiane do t’i mbyll punimet nesër me miratimin e deklaratës së përbashkët nga shtetet pjesëmarrëse, prej disa pikash të nxjerra nga temat e trajtuara dhe diskutimet e zhvilluara përgjatë gjithë konferencës”, thuhet në njoftim.

Konferenca e radhës do të zhvillohet në vitin 2026 në Helsinki të Finlandës. /Kosova.info/


Go to TOP