“Prishtina Open 2025” nis me mbi 275 pingpongistë nga 25 shtete

Sot në kryeqytetin e Kosovës ka nisur edicioni i tretë i turneut ndërkombëtar të pingpongut “Prishtina Open 2025”, një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive të vitit në vend. Ky turne prestigjioz organizohet nga Klubi i Pingpongut “Priping” në bashkëpunim të ngushtë me Federatën e Pingpongut të Kosovës duke sjellë në Prishtinë sportistë elitarë nga e gjithë bota.

Mbi 275 pingpongistë nga 25 shtete të ndryshme janë regjistruar për të marrë pjesë në këtë garë, e cila do të zgjasë tri ditë – nga data 20 deri më 22 qershor. Ndeshjet po zhvillohen në ambientet e Pallatit të Rinisë, ku pritet një pjesëmarrje e gjerë e publikut dhe një atmosferë dinamike që e karakterizon sportin e pingpongut.

“Prishtina Open” po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një ngjarje të përmasave ndërkombëtare duke promovuar sportin e pingpongut dhe njëkohësisht duke forcuar imazhin e Kosovës si vend me kapacitet për të organizuar aktivitete sportive të nivelit të lartë.

Organizatorët i kanë ftuar qytetarët e Prishtinës dhe dashamirët e sportit të ndjekin nga afër këtë turne të veçantë, i cili premton emocione dhe garë cilësore gjatë gjithë fundjavës. /Kosova.info/


Go to TOP