Prezantohet Choulet, Dardanët me synime të qarta për sfidat e nëntorit

Federata e Basketbollit të Kosovës të hënën në një konferencë për media, ka prezantuar përzgjedhësin e ri Jean-Denys Choulet.

Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku ka thënë se trajneri ka shumë përvojë ndërkombëtare dhe kjo përvojë do t’i ndihmojë Dardanët në ndeshjet shumë të rëndësishme për muajin nëntor.

Dushku ka shtuar se, Dardanët do të bëjnë çmos për dy sfidat e nëntorit dhe është optimiste për rezultate pozitive, derisa FBK do t’i ofrojë kushtet optimale përzgjedhësit të ri.

Ndërkaq, përzgjedhësi i ri i Kombëtares sonë, është shprehur se do të mundohen për paraqitje dhe rezultate pozitive.

“Jam shumë i nderuar që jam këtu dhe të jem përzgjedhës i Kosovës. Kam shikuar disa ndeshje në fundjavë dhe përshtypja e parë është pozitive. Kemi një grup interesant dhe do të mundohemi të japim më të mirën tonë. Shpresoj se, do të fitojmë të paktën një sfidë dhe më pas në muajin shkurt të vitit të ardhshëm të kërkojmë kualifikimin. Gjithsesi pas disa stërvitjeve do të kemi një pasqyrë më të qartë të grupit”, ka theksuar Jean-Denys Choulet.

Dardanët në muajin nëntor do të zhvillojnë dy ndeshje si mysafirë. Më 21 nëntor do të ndeshen me Zvicrën dhe më 24 ndaj Irlandës.

Ndeshjet zhvillohet në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2027.

Kujtojmë se Kosova ka një fitore dhe një humbje. Sfidat e fundit do të jenë në shkurt të vitit të ardhshëm, kur do të presim Zvicrën dhe Azerbajxhanin.

Go to TOP