Premier League sjell derbin e fundjavës: Aston Villa pret liderin Arsenal

Premier League rikthehet këtë fundjavë me duele tejet të forta dhe ritëm të lartë gare, ndërsa vëmendja kryesore bie mbi përballjen mes Aston Villas dhe Arsenalit. Dy skuadra në formë mbresëlënëse, me objektiva të qarta dhe me atmosferë të zjarrtë rreth tyre, hapin javën e 15-të të kampionatit anglez me një ndeshje që pritet të japë emocione deri në minutën e fundit.

Java e 15-të e Premier League nis me një super-përballje në “Villa Park”, ku Aston Villa pret Arsenalin të shtunën në orën 13:30. Dy skuadra në formë të shkëlqyer takohen në një sfidë që pritet të jetë ndër më të nxehtat e fundjavës.

Arsenali mbërrin si lider i ligës me 33 pikë, ndërsa pas tij renditen Manchester City me 28 dhe Aston Villa me 27 pikë. Të dy ekipet vijnë nga fitore të rëndësishme në mesjavë: Villa përmbysi spektakolarisht Brightonin 4:3, ndërsa “Topçinjtë” mposhtën bindshëm Brentfordin 2:0.

Skuadra e Mikel Artetës është e pamposhtur në 18 ndeshje radhazi në të gjitha garat, ndërsa Villa ka regjistruar gjashtë fitore njëpasnjëshme. Historia e takimeve në Birmingham favorizon lehtësisht Arsenalin, i cili ka fituar gjashtë nga nëntë ndeshjet e fundit në “Villa Park”.

Ndërkohë, edhe pjesa tjetër e javës pritet të jetë e mbushur me duele të forta. Granit Xhaka me Sunderlandin do të sfidojnë Manchester Cityn të shtunën në orën 16:00, pas barazimit të madh 1:1 kundër Liverpoolit në “Anfield”. Sunderland ka qenë një nga surprizat e edicionit me 23 pikë dhe pozitën e gjashtë në tabelë.

Liverpooli rikthehet në aksion në orën 18:30, ku do të përballet me Leeds Unitedin në udhëtim. “Të kuqtë” kërkojnë pikë të plota për të dalë nga zona e mesme e tabelës, duke qenë aktualisht në vendin e nëntë me 22 pikë.

Java mbyllet të hënën në orën 21:00 me duelin Wolverhampton – Manchester United, një ndeshje ku të kuqtë e Manchesterit do të kërkojnë stabilitet pas një sezoni të luhatshëm.


Go to TOP