Pratipati: Qeveria e Kosovës përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve, institucionet paralele serbe duhet të përfshihen në sistemin e Kosovës

E ngarkuara me Punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Pratipatti, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj dhe se Kushtetuta e Kosovës garanton përfaqësimin e serbëve në institucionet shtetërore.

“Ne presim që Qeveria e Kosovës të sigurojë që serbët e Kosovës të kenë mundësi të barabarta dhe të marrin pjesë plotësisht në jetën politike dhe qytetare të Kosovës,” tha ajo në një intervistë për një grup mediatik në gjuhën serbe.

Pratipati theksoi se njëkohësisht, edhe serbët e Kosovës duhet të marrin përgjegjësinë e tyre për ndërtimin e një Kosove më të qëndrueshme dhe më të begatë.

“Kur nuk je në tryezë, të tjerët marrin vendime për ty. Pjesëmarrja siguron rolin tënd në formësimin e së ardhmes. Çdo ndryshim që prek serbët në Kosovë duhet të zbatohet në konsultim me ta. Nuk ka alternativë tjetër për këtë dhe nuk ka proces të njëanshëm,” shtoi zyrtarja amerikane.

Duke folur mbi institucionet paralele të Serbisë në Kosovë, si arsimi dhe shëndetësia, Pratipati tha se ato në fund duhet të integrohen në sistemin e Kosovës.

“Institucionet paralele të drejtuara nga serbët duhet përfundimisht të përfshihen në sistemin e Kosovës. Megjithatë, mënyra se si bëhet kjo është me rëndësi thelbësore. Ne e kuptojmë ndjeshmërinë në lidhje me ofrimin e arsimit dhe kujdesit shëndetësor për komunitetin serb të Kosovës dhe kemi shprehur vazhdimisht shqetësime në lidhje me mbylljen e institucioneve paralele pa koordinim me komunitetet e prekura. Ky nuk mund të jetë një proces i njëanshëm. Varet nga komuniteti serb i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës të punojnë së bashku, me një theks të veçantë në sigurimin që institucionet të ruajnë ose përmirësojnë cilësinë dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve,” u shpreh Pratipati. /Kosova.info/


Go to TOP