Portugalia dorëzon trofeun, Belgjika fiton dhe kalon në çerekfinale

Superdueli Belgjikë-Portugali përfundon me fitoren e “Djajve të kuq”. Skuadra e Roberto Martinez tregohet më e aftë dhe më cinike për të shfrytëzuar rastet dhe me një fitore minimale 1-0 siguron kualifikimin ndaj Ronaldos me shokë të cilët eliminohen në 1/8.

Në “La Cartuja” u luajt një nga ndeshjet më taktike dhe më të kujdesshme të Europianit teksa të dyja skuadrat studionin njëra tjetrën dhe përpiqeshin të kapnin në befasi kundërshtarin.

Sinjalin e parë e dha Cristiano Ronaldo në 25’ me një gjuajtje potente por Courtois u përgjigj menjëherë duke grushtuar ndërsa Meunier i përgjigjet edhe ai me një gjuajtje në 36’ e cila kalon ngjitur me shtyllën. Kur skuadrat po bëheshin gati për të mbyllur pjesën e parë, vjen episodi që vendos edhe ndeshjen, një predhë nga Thorgan Hazard. Mesfushori gjen hapësirë dhe godet me të djathtën e cila nuk mund të pritet nga Rui Patricio.

Me rezultatin 1-0 skuadrat kthehen për pjesën e dytë por Belgjika merr një goditje kur De Bruyne kërkon zëvendësimin në 47’ për shkak dëmtimi.

Skuadra e Santos rrit presionin dhe me Ronaldon e Diogo Jotan tentojnë dy here me gjuajtje dhe nuk ia dalin. Belgjika pa De Bruyne duket sikur vendos vetëm të mbrohet e të përdor kundërsulmin por portugezët i afrohen shumë barazimit here me Bruno Fernandes në 82’ e më pas dy minuta më pas me Guerreiron që godet shtyllën. Me të vërtetë e pafatë Portugalia që nuk bën dot asgjë dhe detyrohet në fund të dorëzojë trofeun e Kampiones së Europës.

Go to TOP