Policia në Skënderaj konfiskon katër armë
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka konfiskuar katër armë gjatë kontrolleve në Skënderaj, pas një rasti kanosjeje që lidhej me një mosmarrëveshje pronësore mes dy personave.
“Sot në orët e pasdites, pas pranimit të një njoftimi për rastin e kanosjes, kemi ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe kemi marrë autorizimin nga prokurori për kontrollimin e lokacioneve të dyshuara,” ka bërë të ditur policia.
Gjatë kontrolleve në dy lokacione, janë gjetur tri armë tytë-gjata. “Po ashtu, njësia e hetimeve ka siguruar një video-incizim ku shihej duke shtënë me armë personi tjetër i përfshirë në mosmarrëveshje,” ka sqaruar policia.
Kontrollet janë zgjeruar edhe në dy lokacione tjera, ku është gjetur një armë me gaz. Në total, policia ka konfiskuar:
Armë automatike AK-47 me dy karikatorë dhe 60 fishekë
Pushkë gjuetie dy-tytshe me 18 fishekë
Pushkë ajrore
Armë me gaz e llojit pistoletë
“Personat e dyshuar janë intervistuar dhe ndaj tyre janë iniciuar rastet për veprat penale: Kanosje, Armëmbajtje pa leje dhe Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm,” ka njoftuar policia, duke shtuar se me aktvendim të prokurorit ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. /Kosova.info/

