Policia në Shqipëri i arreston katër persona për trafikim armësh nga Kosova

Policia e Shqipërisë njoftoi të premten se i ka arrestuar katër persona në një fshat të kryeqytetit Tiranë, të cilët dyshohen për trafikimin e armëve të zjarrit nga Kosova.

Në një njoftim për media, policia tha se të gjithë të arrestuarit, të moshës 20-28 vjeçe, janë banorë të Kosovës.

Gjatë një aksioni policor në vendparkimin e një terminal autobusësh në periferi të kryeqytetit shqiptar, në fshatin Lundër, policia gjeti dhe sekuestroi një çantë me armë dhe municion.

Sipas policisë, një 28-vjeçar me inicialet B.K dyshohet se kishte futur në një autobus që vinte nga Kosova drejt Shqipërisë një çantë brenda së cilës u gjetën 10 pistoleta, 10 krehra dhe sasi municioni luftarak.

Një video e publikuar në Facebook nga policia shqiptare, shfaq momentin e arrestimit të të dyshuarve, si dhe armët e sekuestruara gjatë aksionit.

“Më pas, ai dhe një prej bashkëpunëtorëve të tij, kanë ndjekur me automjetin e tyre autobusin gjatë gjithë itinerarit”, thuhet në njoftim.

Policia tha se, pas hetimit, erdhi në përfundim se armët po trafikoheshin me qëllim për t’u shitur në vlerat “1.500-3.000 euro”.

“Po nga verifikimet e kryera dyshohet se pronari i linjës së autobusëve, së bashku me shtetas të tjerë, ka trafikuar armë zjarri drejt Shqipërisë, në disa raste”, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe një automjet dhe pesë celularë, tha policia.

Në shkurt, policia shqiptare i sekuestroi 46 kilogramë lëndë eksplozive që vinte nga Kosova dhe si të dyshuar për këtë i arrestoi tre të rinj nga qyteti jugor i Kosovës, Gjilan.

Go to TOP