Policia e zemëruar me Albin Kurtin: Më shumë na e uli se na e rriti

Policia e Kosovës nuk është e kënaqur me pagat e reja.

Edhe pse Qeveria e Kosovës tha se, përmes Ligjit të ri për pagat në sektorin publik, rriti pagat e zyrtarëve policorë, nga Policia e Kosovës thonë se, me ligjin e ri, për disa pjesëtarë madje parashihet edhe ulja e pagave.

Më 1 shkurt, ekzekutivi njoftoi se vlera e koeficientit të pagave do të jetë 105 euro.

Me Ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve është nga 2 deri në 18. Presidentes së shtetit i është caktuar koeficienti më i lartë, sipas të cilit ajo do të ketë pagën më të madhe.

Rreth 83 mijë punonjës të sektorit publik marrin pagë nga buxheti i shtetit. Me koeficientët e rinj, Qeveria ka thënë se synon të krijojë barazi në mesin e shërbyesve publikë.

Policia e Kosovës numëron një staf prej afër 10 mijë personash. Koeficientin më të lartë e ka drejtori i Përgjithshëm (14.5), kurse më të ulëtin (2) e kanë kadetët policorë. Besohet se pjesa më e madhe e pjesëtarëve në Policinë e Kosovës kanë pozitën polic i lartë, koeficienti i së cilës është 5.9, që përkthehet në pagë bazë prej 619 eurosh.

Drejtuesi i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se me koeficientët e rinj, Qeveria ka bërë rritje minimale të pagës bazë, prej 20 deri në 60 euro, për disa kategori brenda Policisë. Por, në anën tjetër, thotë se janë ulur shumë paga.

“Paga bazë e një polici të lartë që, për shembull, punon në NJSI [Njësia Speciale Intervenuese], është 702 euro [392 pagë bazë, plus 310 euro shtesa]. E tash, më shumë është 702 apo 619 euro? Pse po e them këtë? Gjashtëqind e nëntëmbëdhjetë euro është në bazë të koeficientit të ri, pjesën tjetër shtesë, te Policia e Kosovës, me Ligjin e ri të pagave e kanë zvogëluar, për të mos thënë e kanë hequr krejt, e kanë lënë vetëm 1 për qind të buxhetit [të Policisë së Kosovës], që nuk mbulon asgjë, e që policin e lë pa shtesa edhe për rrezikshmëri”, thotë Zeqiri.

Ai thekson se te disa kategori të zyrtarëve policorë ka ulje të pagës.

“Te shumica e kategorive, qoftë te hetimet, qoftë te njësitë e specializuara apo kategoritë tjera, te një numër i konsiderueshëm, ka zbritje, nuk ka ngritje të pagës. Tek ata që ka ngritje, ngritja më e madhe mund të jetë deri në 50-60 euro”, thotë ai.

Rritet paga bazë, por ulen shtesat

Deri më tani, pagat bazë në shumicën e kategorive kanë qenë më të ulëta, krahasuar më këto që i ka prezantuar Qeveria e Kosovës me Ligjin e ri për paga.

Megjithatë, zyrtarët policorë kanë marrë më shumë pagë, pasi kanë pasur edhe shtesa të tjera, si ajo e përvojës së punës, për rrezikshmëri, për punë jashtë orarit dhe për punë në ndërrimin e natës.

Ligji i ri, i prezantuar nga Qeveria, rrit pagën bazë, por pritet të zvogëlojë vlerën e shtesave, pasi aty thuhet se për këto shtesa mund të shfrytëzohet vetëm 1 për qind e buxhetit të Policisë së Kosovës.

Buxheti vjetor i Policisë së Kosovës për 2023 është mbi 115 milionë euro, ndërsa 1 për qind e këtij buxheti është 1.1 milion euro.

Ky buxhet për shtesa, sipas Zeqirit, nuk mjafton as për një muaj.

Policia e Kosovës nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për deklaratë lidhur me ndryshimin e pagave.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Policia e Kosovës nuk ka ofruar as të dhëna për numrin e zyrtarëve, të cilët preken si nga ulja, ashtu edhe nga rritja e pagës.

Përkundër kësaj, sipas Sindikatës së Policisë, dhe sipas ish-drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i cili tani është deputet i partisë opozitare, Partisë Demokratike e Kosovës, numri më i madh i zyrtarëve policorë i takojnë kategorisë “polic i lartë”, e cila përbëhet nga policë që kanë pesë e më shumë vjet përvojë në këtë institucion.

Qalaj thotë për REL-in se aktualisht ka konfuzion, dhe se nuk dihet se si do të vendoset për çështjen e shtesave për policët.

Heqjen apo uljen eventuale të tyre, Qalaj e konsideron të papranueshme.

Deputetja e partisë opozitare, Lidhja Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, gjatë një seance plenare, të mbajtur më 2 shkurt, tha se Qeveria u tregua e pasinqertë me zyrtarët policorë, pasi që, sipas saj, atyre do t’u hiqen shtesat.

“Dje, koeficienti i pagave u caktua 105 euro, dhe Qeveria doli me statistikat e saj, si gjithherë, të pasinqerta. Qeveria, dje, nuk i tregoi policit të lartë që po i rritet paga për 180 euro, por atij me pagën e shkurtit nuk i paguhet më shtesa prej 180 eurosh”, tha ajo.

Në një reagim, pas publikimit të koeficientëve të rinj të pagave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky hap, mes tjerash, është mbështetje solide për Policinë dhe për kategoritë e tjera.

“Barazi dhe ndershmëri për pagat në mes të kategorive, ngushtim të hendekut midis zyrtarëve të lartë dhe të tjerëve, si dhe mbështetje solide për katër kategoritë jetike për funksionimin e shoqërisë, atë të mjekëve, arsimtarëve, policëve dhe ushtarakëve”, shkroi Kurti në rrjetin social Facebook.

Në Sindikatën e Policisë së Kosovës thonë se Qeveria nuk u ka dhënë sqarim të qartë sa i takon çështjes së shtesave për Policinë e Kosovës.

Pagë “që nuk siguron mirëqenie”

Pas publikimit pagave të reja për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, një zyrtar i këtij institucioni, i cili nuk ka dashur të identifikohet, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se paga e tij bazë është 392 euro, ndërsa me ligjin e ri, paga e tij bazë pritet të jetë 619 euro bruto.

Por, sipas kalkulatorit të pagës, që gjendet në ueb-faqen e Administratës Tatimore të Kosovës, pasi që kjo pagë të tatohet dhe të ndalen kontributet, në llogarinë bankare të këtij polici do të dalin vetëm 551 euro.

Zyrtari i Policisë së Kosovës thotë se, duke marrë parasysh rrezikun dhe mungesën e sigurimeve shëndetësore, me këtë pagë nuk ia vlen as të punohet.

“Nuk është rritje kjo. Me këtë rrogë nuk ia dal as qiranë ta paguaj. Dy fëmijë i kam, gruaja nuk punon, ata kanë thënë 619 euro, por, në fund, nuk dalin as aq”, thotë ai.

Sipas këtij zyrtari, policët janë përbuzur vazhdimisht sa i takon çështjes së pagave, dhe janë përdorur për mburrje nga politikanët.

“Është bërë zor, me këto çmime, të jetosh e të mbash familje. Se di pse duhet të ndodhë kjo, kur ne, sa herë ju duhemi për aksione, krejt qeveritë lëvdohen me neve. Por, kur vjen puna te rritja e rrogave, bëjnë humor, siç kanë bërë tash me pagat”, thekson ai.

Që nga viti 2001, në kryeje të detyrës kanë vdekur 23 zyrtarë policorë, ndërsa rreth 500 të tjerë kanë pësuar lëndime, disa prej të cilëve kanë mbetur të paaftë për të ushtruar sërish detyrën e policit.

Për shkak të kushteve të dobëta të punës, mungesës së sigurimit shëndetësor, dhe pagës së ulët, Eris Jashari, pas pesë vjetësh punë si pjesëtar i Policisë së Kosovës, më 2017 dha dorëheqje nga ky institucion.

Ai tha se paga e tij sillej nga 430 deri në 460 euro.

Jashari pohoi se, sikur ai, edhe shumë policë të tjerë janë tërhequr nga Policia, pasi nuk kanë mundur të sigurojnë mirëqenie për veten dhe për familjen.

“Policët e Kosovës i kanë dy zgjedhje sot. Një, të punojnë në këto kushte dhe të heshtin, sepse s’kanë të drejtë të flasin, nuk kanë të drejtë të protestojnë, nuk kanë të drejtë të bëjnë greva, nuk kanë të drejtë ta bojkotojnë punën, dhe e dyta, të dalin dhe të shikojnë alternativa tjera jashtë vendit”, tha Jashari.

Jashari ka punuar në stacionin numër 3, në lagjen Kodra e Trimave, në Prishtinë. Ky stacion i improvizuar ishte mbyllur, pas inspektimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë [AUVK], për shkak se policët aty punonin në kushte minimale higjienike, dhe në kontejnerë mbi 20 vjet të vjetër.

Këtë stacion e kishte vizituar edhe Komisioni parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i cili kishte nxitur reagim institucional, për shkak të dyshimeve se kontejnerët e vjetër mund të ishin kancerogjenë.

Go to TOP