Policia e Kosovës dhe CEPOL forcojnë partneritetin profesional

Policia e Kosovës dhe Agjencia e Bashkimit Evropian për Trajnimin e Zbatimit të Ligjit (CEPOL) kanë avancuar bashkëpunimin profesional përmes një aktiviteti të rëndësishëm të zhvilluar ditë më parë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se projekti i CEPOL-it, i fokusuar në hetimin e narkotikëve, ka kontribuar ndjeshëm në ngritjen e kapaciteteve hetimore dhe operative të Policisë së Kosovës.

“Gjatë aktivitetit, CEPOL i ndau Policisë së Kosovës mirënjohje për bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe partneritet të qëndrueshëm. Policia e Kosovës shprehu falënderim për mbështetjen e vazhdueshme të CEPOL-it dhe institucioneve partnere që kontribuojnë në forcimin e sigurisë publike”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se ky partneritet konfirmon përkushtimin e ndërsjellë për integrimin e standardeve evropiane dhe zhvillimin e kapaciteteve moderne të zbatimit të ligjit në vend. /Kosova.info/


Go to TOP