Planifikonte të vidhte pyllin, një muaj paraburgim për të dyshuarin
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim E.G. për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se më 15 shtator në Llapushnik i pandehuri ka pasur armë me vete në veturën derisa po planifikonte të kryente vjedhje të pyllit.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 15.09.2024 rreth orës 02:20 në fshatin Llapushnik – Berishë, Komuna e Gllogocit, i pandehuri E.G i cili ishte duke vozitur veturën në pronësi të B.G, i shoqëruar me dëshmitarin L.K, me të cilin ishin dakorduar që të kryenin vjedhje të pyllit, pa autorizim ka mbajtur në pronësi, kontroll ose poseedim armën e zjarrit pistoletë TT M-57 dhe dy karikator dhe 14 fishekë të cilat i kishte mbajtur në brez si dhe armën e ftohtë – thikë me gjatësi 18 cm, të cilat pas kontrollit të njëjtat i janë sekuestruar nga zyrtarët policor, me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në njoftim.
Gjykata e ka vlerësuar se caktimi i masës së paraburgimit është e domosdoshme pasi lënia në liri e të pandehurit mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale, si dhe mund të kryejë vepër penale tjetër penale.