Plagoset një person në Kramovik, nuk dihet nga i erdhi plumbi
Një person ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit në afërsi të fshatit Kramovik, në rrugën Klinë-Gjakovë, ngjarje që dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 01:00 pasmesnate.
Sipas të dhënave fillestare që posedon Policia e Kosovës, viktima që po udhëtonte me familjarët e tij në atë pjesë, kishte dalë nga vetura ku thuhet se ishte qëlluar nga një drejtim i panjohur.
Rasti po e hetohet si “Vrasje në tentativë”, ka thënë për RTKlive zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Në orët e hershme të mëngjesit, është pranuar informata se një mashkull i moshës madhore është dërguar për trajtim mjekësor, pasi ishte qëlluar me armë zjarri. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 01:00, në rrugën Klinë–Gjakovë në afërsi të fshatit Kramovik. Sipas të dhënave fillestare, viktima kishte qenë duke udhëtuar me familjarët e tij. Ne ndërkohë kishte dalë nga vetura me të cilën po udhëtonte dhe në afërsi të rrugës është qëlluar nga një drejtim ende i panjohur”, tha ai.
Tutje, Elezaj tregoi se viktima aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor. “Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe në konsultim me të është iniciuar rast “Vrasje në tentativë”. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore”, tha Elezaj për RTKlive.
