Përgatitjet për ditëlindjen e Skënderbeut, Prishtina mbledh arbëreshë e artistë për manifestim
Organizata “Shqiptaria”, në bashkëpunim me partnerët e saj, ka nisur përgatitjet për manifestimin gjithëkombëtar kushtuar ditëlindjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili do të mbahet më 6 maj 2026 në Prishtinë.
Ky organizim pritet të mbledhë delegacione arbëreshe nga Italia, artistë, ansamble folklorike, studiues, rapsodë, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, në një aktivitet të dedikuar figurës që simbolizon qëndresën dhe bashkimin kombëtar.
Sipas njoftimit të Organizatës “Shqiptaria”, programi qendror do të përfshijë një sërë aktivitetesh duke filluar me nisjen e organizuar të qytetarëve dhe klubeve të motoristëve nga Lezha në orën 10:00, pas homazheve në muzeun e vendvarrimit të Skënderbeut. Po ashtu, janë planifikuar takime zyrtare me delegacionet arbëreshe, si dhe hapja e ekspozitës kombëtare të artit pamor “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në artin kombëtar”.
Në Prishtinë do të zhvillohet edhe defilim artistik e kulturor në sheshet kryesore, ndërsa në mbrëmje do të mbahet koncerti festiv qendror me pjesëmarrjen e artistëve dhe ansambleve nga të gjitha trojet shqiptare. Programi përfshin edhe performanca të arbëreshëve, si dhe një mbrëmje moderne artistike “Skënderbeg Party” me grupe rock dhe artistë alternativë.
Organizatorët bëjnë të ditur se në këtë manifestim do të marrin pjesë emra të njohur të muzikës dhe kulturës shqiptare duke e kthyer më 6 maj Prishtinën në një qendër të bashkimit kulturor dhe kombëtar shqiptar. /Kosova.info/
